TIRANË- Sot është heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën e 9 nëntorit, rreth 334 mijë votues të 5 bashkive do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj. Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 600. Ndërkohë, Policia e Shtetit pritet të vendosë në praktikë masat që ka marrë për votime, për mbarëvajtjen e procesit të votimit. Në total do të jenë 612 punonjës dhe automjete policie që do të angazhohen për mbarëvajtjen e 473 qendrave të votimit dhe 9 objekteve të KZAZ-ve, si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore. Siç është njoftuar, strukturat e posaçme hetimore të Policisë do të monitorojnë çdo tentativë për tjetërsimin e votës. Procesi zgjedhor në Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë vjen si pasojë e vakancave të krijuara në drejtimin e bashkive përkatëse dhe synon të rikthejë përfaqësimin lokal në këto zona.
/ZËRI