TIRANË- Të dielën e 9 Nëntorit, qytetarët e 5 bashkive në vend do t’i drejtohen qendrave të votimit, për të zgjedhur kryetarët e tyre, që do t’i qeverisin për një mandat të pjesshëm, deri në zgjedhjet lokale të vitit 2027. 5 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet të dielën janë Vlora, Berati, Cërriku, Mati dhe Tepelena. Zgjedhjet në Vlorë mbahen pas dorëheqjes së Ermal Dredhës nga drejtimi i Bashkisë. Socialistët kanë dërguar një kandidate me lidhje lokale si Bruna Mersini. Nga ana tjetër opozita nuk arriti që të dilte me një emër konsensual, edhe pse kandidati Dionis Sota mbështetet prej tyre. Në garë është edhe Gjergji Nika. Socialistët i kanë bësuar kandidimin në zgjedhjet e 9 Nëntorit në Berat Ervin Cecës. Demokratët dhe opozita në tërësi mbështet në garën për Bashkinë e Beratit kandidatin Pavllo Shkarpa. Në Cërrik në garë janë 3 kandidatë; Florenc Doka nga Partia Socialiste, Amarildo Hoxha, një mjek në profesion që mbështetet nga Partia Demokratike dhe Eligert Hima, kandidat i “Shqipëria Bëhet. Në garën për kreun e Bashkisë Mat kandidojnë: Altin Bojni, ekonomist dhe ish-kryetar i Këshillit Bashkiak, që përfaqëson Partinë Socialiste; Eduart Brahilika, jurist dhe kandidat i mbështetur nga Partia Demokratike; si dhe Suzana Pasha. Në Tepelenë socialistët garojnë me një kandidat të njohur, si ish-drejtori i Gardës së Republikës Gramoz Sako, ndërsa opozita mbështet një kandidat të ri në moshë dhe në përvojë, arkitektin 26-vjeçar Grabiel Guma.
/ZËRI