Video

Kantierët e ndërtimit/ Rrëfehet punëtori Arben Kapa: Sigurime jo të plota, aksidentet fshihen, kontrollet janë formale

Ne biseduam me punëtorin e ndërtimit Arben Kapa, i cil ka 20 vjet që punon në këtë sektor, për të dëgjuar dhe për të kuptuar se çfarë ndodh në terren.

Loreta Koleci
Kantierët e ndërtimit/ Rrëfehet punëtori Arben Kapa:
Arben Kapa

TIRANË- Në një kohë kur flitet gjithnjë e më shumë për kushtet e punës në sektorin e ndërtimit, zëri i atyre që ecin mbi skela e përballen me përditshmërinë e kantierit shpesh mbetet i heshtur. Ne biseduam me punëtorin e ndërtimit Arben Kapa, i cil ka 20 vjet që punon në këtë sektor, për të dëgjuar dhe për të kuptuar se çfarë ndodh në terren. Ai sjell për ZËRIN një realitet të ashpër që ndonjëherë fshihet prapa fasadave të reja që ndërtohen.

Sa vite ka që punoni në ndërtim?

“Ka 20 vjet, por me siguracion ka 5 vjet. Nuk na kanë siguruar, që kur nxorri Edi Rama këtë ligjin për sigurimet, ju mblodh rripi shumë (kompanive). Por Edi Rama duhet të bëjë një gjë; në qoftë se do ta mbajë kombin për mirë. Për këto 35 vjet të bëjë një amnisti, t’i sigurojë të gjithë shqiptarët që kanë kanë qëndruar pa punë, se të gjithë kanë punuar por nuk i kanë siguruar pronarët. Faji është i shtetit.”, shprehet Arbeni.

Ju pagoheni me pagë minimale?

“Në letra, e them minimalen, dorëzon 440 mijë në bankë, 500-600 mi jep në dorë, pas dy ditësh ose pas pesë ditësh”, - thotë Kapa.

Ajo që shpesh dëgjohet dhe raportohet në media është fakti se shumë kompani, nuk sigurojnë as mjetet bazë mbrojtëse të punës për punëtorët, si funksionon tek kopmania juaj a i keni pajisjet mbrojtëse ose si funksionon puna në kantier?

“Jelekë dhe kaska, të tjerat i blejmë vetë. Në katër-pesë firma ku kam punuar unë në këto katër vjet, i blejmë vetë. Firma na jep vetëm kapelet, ato kokoret edhe jelekun.”- shprehet ai.

A ka pasur ndonjë rast tel kantieri ku ju punoni të ketë pasur ndonjë aksident të punëtorëve të tjerë dhe si ka reaguar kompania?

“I mbyllin, I mbyllin! Këto janë të gjithë ortakë. Unë kam qëlluar vetë disa herë, vjen Inspektoriati i Punës, merr ndonjë lekë dhe ikën, bën sikur kontrollon. Se ka disa lloj pronarësh, ka nënkontraktorë, pronarë betoni, se varet ku bëhet aksidenti se janë procese të ndryshme.”- thekson punëtori.

A bashkëpunojnë këto institucionet e tjera me punëtorët, për shembull Inspektoriati?

“Dalin më vete, flasin dhe bëjnë pazare më vete, marrin ndonjë kafe, ndonjë bakshish.”, deklaron Arbeni.

Çfarë kërkoni ju si punëtor nga shteti apo nga kompania ku ju punoni për të përmirësuar kushtet tuaja të punës?

“E para; Sigurimet të gjitha firmat i derdhin 22 ditë në muaj, pra 5 ditë në javë, për të na mbajtur na mbajnë edhe 6 ditë, ka shumë raste edhe 7 ditë. Bie shi, na thojnë ikni në shtëpi pa pagesë. Prandaj kërkoj kontratën unë. Fitojnë në kulm dhe nuk kënaqen. Këtu është të flasësh kot, se kërko çfarë të duash, këto nuk të japin asgjë. Asnjë firmë nuk paguan leje, ato që njoh unë. Se po të nënshkruhet kontrata duhet të kesh 15 ditë leje, ose rroga e 13-të. Se po të bëhej kontrata unë direkt bëj kontratën, që nesër, po t’i them unë atij nesër bëj kontartën më heq nga puna. Ku të shkoj? Shkoj tek firma tjetër dhe merren vesh me njëri-tjetrin."

Cila është thirrja që do doje ta bëje për punëtorët e tjerë në ndërtim?

“Të kërkojnë të gjithë kontratë pune. Të njerrin një përfaqësues çdo lloj firme nga punëtorët jo nga inxhinerët edhe të kërkojnë kontarta pune. Por këtë duhet ta bëjë shteti, të detyrojë firmat që iu ka dhënë licensën. Se 99% abuzojnë…nënkontarktorët.”- përfundon bisedën e tij për ZËRIN, Arbeni./ZËRI

Poll

MOS HUMB