
TIRANË- Mesazhet e "SkyECC" kanë hapur një tjetër dosje! Kësaj here bëhet fjalë për ngjarjen e përplasjes me armë zjarri në ish-Bllok mes Ervis Martinajt dhe Ervin Matës, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha. Gazetari i “Ora News” Elton Qyno raporton se janë hapur një seri kodesh të aplikacionit “SkyECC” që janë përdorur gjatë periudhës 2019-2021 nga protagonistët e këtij konflikti. Ndër to përmendim vetë tashmë të zhdukurin Ervis Martinaj, Ervin Matën, Marviol Bilon, Eldi Dizdarin, Fabiol Gaxhën, Gabiol Alushin, Eljo Haton, Geldo Hotin, etj. Në aplikacion janë regjistruar disa biseda me punonjës të Policisë së Shtetit, prokurorë dhe gjyqtarë. Nga bisedat tregohet se janë dhënë mijëra euro për të mos arrestuar Marviol Bilon, i cili ishte shpallur në kërkim. Para janë dhënë edhe për t'i ndryshuar masën e sigurisë Ervis Martinajt, nga "arrest në burg” në "detyrim paraqitje". Tani, SPAK ka në duar telefonat e përdorur nga Martinaj, i cili ka pasur dy kode të aplikacionit “Sky”.
/ZËRI