TIRANË- SPAK ka shtuar dy akuza të reja për ish-numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku, e cila është zyrtarisht nën hetim edhe për korrupsion pasiv e pastrim parash, jo vetëm e pandehur për shpërdorim detyre. Hetimet kanë çuar në sekuestrimin e një vile të Belinda Ballukut me vlerë 145 mijë euro në fshatin turistik të Dhërmiut, në resortin turistik “White Rocks”. Vila dyshohet se ishte fshehur në emër të ish-futbollistit të kombëtares, Igli Tare, i cili po ashtu është marrë sot në pyetje nga SPAK. Sipas SPAK, kjo pasuri lidhet me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Albcontrol, ku dyshohet se janë krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese “Eurocol” sh.p.k. Hetimet tregojnë se favorizimi ka vijuar edhe pas shpalljes së fituesit, përmes parapagimeve dhe mënyrës së zbatimit të kontratës. Prokuroria pretendon se, në këmbim të këtij favorizimi, Balluku ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 145 mijë eurosh, që sipas kontratës së porosisë përkon me vilën e sekuestruar.
/ZËRI