
TIRANË- Tranzit SHPK, një nga institucionet mikrofinanciare që vijon të operojë në treg për mbledhjen e borxheve të këqija, edhe pas mbylljes së Final e Micro Credit Albania, pavarësisht se aktiviteti është i njëjtë, është themeluar në vitin 2009 dhe aktualisht administrohet nga Seljan Kodra. Por, përfaqësues i ortakëve është Andi Ballta, një emër jo i panjohur, pasi Ballta është Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank). Në listën e shoqërive të kontrolluara nga ky subjekt janë dy: BANKA AMERIKANE E INVESTIMEVE (ABI Bank) dhe një tjetër shoqëri, me emrin A.I.D.A., që si subjekt ka aktivitete lidhur me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Kapitali themeltar i Tranzit ka qenë mbi 177 milion lekë, por origjina është e dyshimtë, pasi siç shkruhet edhe në të dhënat zyrtare, vendi nga ku e kanë burimin paratë, është Ishujt Cayman. Për herë të fundit, Tranzit ka bërë deklarime në vitin 2021, vit në të cilin është deklaruar një xhiro vjetore prej më shumë se 888 milion lekësh. Raporti Fitim para Tatimit kundrejt Xhiros Vjetore në këtë vit, ka qenë 85%. Tranzit deklaron se ka bërë dhe transaksione thesari, por këto të dhëna janë të padisponueshme duke qenë se Open Spending Albania është mbyllur. Në vitin 2019, ABI Bank u vu në qendër të lajmeve pas akuzave nga Opozita se po pastronte paratë. Vetë drejtori i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank), Andi Ballta i hodhi poshtë këto akuza. Në atë kohë reagoi edhe Banka e Shqipërisë, e cila u shpreh se miratimi i blerjes nga Tranzit sh.p.k. të Bankës Credit Agricole në Shqipëri dhe licencimi i mëpasshëm i ABI-së, është kryer “në bazë dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe nënligjore”. Akuzat kaluan në heshtje, por Tranzit vijon të jetë në treg si një prej institucioneve mikrofinanciare që përdor të njëjtën skemë si ‘simotrat’ e saj për të detyruar qytetarët që kanë borxhe të vjetra, që të rimarrin kredi dhe në pamundësi për t’i shlyer ato, u sekuestrojnë pronat, makinat dhe pagat. Por përse heshti Prokuroria për këtë institucion? Kësaj pyetjeje mbetet t’i përgjigjet vetëm drejtësia, por ZËRI ka publikuar dhe shumë shpejt do të publikojë rrëfime të tjera nga qytetarë që tregojnë me fakte dhe dokumente se si Tranzit kërcënon qytetarët për kreditë e këqija, duke u marrë atyre 100% të vlerës së kapitalit.