TIRANË- Besnik Koçiu, 52 vjeç, i arrestuar në fillim të korrikut për plagosje nga pakujdesia me armë zjarri në Valias, ndërroi jetë më 24 korrik në burgun “313” në Tiranë, vetëm 8 ditë pas akomodimit në qeli. Drejtoria e burgut dhe Policia deklaruan se ai vuante nga diabeti, por familja e tij pretendon se vdekja erdhi si pasojë e shpërfilljes dhe neglizhencës institucionale. Sipas një hetimi të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Koçiu kishte shfaqur shqetësime të përsëritura shëndetësore dhe ishte vendosur në një qeli të veçuar, pa marrë ndihmën mjekësore të nevojshme. Vizitat mjekësore ishin të kufizuara dhe mungon dokumentacioni mjekësor për natën e fundit para vdekjes. KSHH ngre shqetësime serioze mbi mosveprimin e stafit shëndetësor dhe policor, si dhe mbi vendimmarrjen për të mos e dërguar të paranurgosurin në një spital pavarësisht ankesave që ai shfaqte çdo ditë. Komiteti kërkon hetim të thelluar dhe masa parandaluese për raste të ngjashme.
/ZËRI