
VLORË- "Ngjarja kriminale do të zbardhet shumë shpejt,"-kështu u njoftua nga Policia e Vlorës vetëm pak kohë pas vrasjes së 23-vjeçarit Gëzim Sinomataj, por edhe sot, kur shënohet 1-vjetori i vrasjes së tij. I riu kishte ardhur në Vlorë për të kaluar festat e fundvitit me familjen e tij. Por mbrëmjen e 7 janarit 2024, një cigare i mori jetën! Teksa po qëndronte në shtëpi me familjen, kishte vendosur që të dilte dhe të konsumonte një cigare në ballkon, pa e ditur se shumë shpejt, në kokën e tij do të vendosej shënjestra e një snajperi. Me vetëm një plumb, 23-vjeçari ra pa jetë! Që nga ajo ngjarje aludimet për shënjestrën janë të ndryshime, disa pretendojnë se autorët kërkonin pikërisht viktimën për shkak të të shkuarës së babait të tij, Sokol Sinomatit (Buzëderri). Të tjerë pretendojnë se në fakt, autorët e ngatërruan shënjestrën me xhaxhanë e tij, Bernard Sinomatin. Por këtë çështje, vetëm ai që tërhoqi këmbëzën mund ta zbulojë!
Po aq e paqartë është edhe arsyeja e vrasjes...
Ka aludime se armiqtë e vjetër të "buzëderrit" ishin rikthyer për të marrë hak dhe i ekzekutuan të birin. Gazetari investigativ Artan Hoxha nga ana tjetër ka hedhur një tjetër pistë. Ai tha se vrasja e të riut ka ndodhur për humbjen e një ngarkese prej 250 kg heroinë në Belgjikë, vend ku edhe rrinte i riu. Por për këtë të fundit u shpreh se nuk ka asnjë të dhënë se ishte i përfshirë në veprimtarinë e të atit.
"Më rezulton se shkak është humbja e një ngarkesë prej 250 kg heroinë. E dimë kush e sjell heroinën në Shqipëri. Kjo ngarkesë ka humbnur në Belgjikë, personat që e çonin ishte nga Veriu i Shqipërisë. Ishin persona të afërt të Gëzim Sinomatit. Kundërshtarët kanë kërkuar kthimin e ngarkesës, ose do të reagonin. Kur kanë humbur shpresën, ata kanë sulmuar personin që arritën të kapnin. Për heroninë në Shqipëri ka 3 qendra, Fieri, Elbasani dhe Shijaku. Territori më afët me Vlorën është Fieri. Kjo është një ngjarje e rëndë, jemi ende pa autor. Kam frikë se po nuk u gjend, vështirë,"-tha Artan Hoxha.
Por ka edhe një pistë të tretë; luftën për territor në Vlorë! Këtë pistë duket se e mbështesin edhe ngjarjet që kanë ndodhur pas ekzekutimit të të riut.
Në emisionin “Në shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar disa shkresa sekrete që dëshmojnë përplasjen mes familjes Sinomati me "Faqedjegurin", Edison Harizaj. Pas ekzekutimit të këtij të fundit, drejtimin e grupit në Vlorë e mori Inez Hajrulla, i cili deri sa Edisoni ishte gjallë, luante rolin e krahut të tij të djathtë. I besohej gjithçka, e bënte çdo gjë për grupin. Derisa një ditë, rrethanat sollën që merrte drejtimin e grupit.
Përballë duket se nuk kishte kundërshtarë të lehtë, por disa nga emrat kryesorë që kontrollojnë qytetin dhe trafikun e drogës. Këtë e tregojnë edhe dokumentet e klasifikuara ‘Top Secret’, të cilat tregojnë se si Bernard Sinomataj, xhaxhai i viktimës Gëzim Sinomataj, dhe babai i këtij të fundit, Sokoli, i njohur me nofkën ‘Buzëderri’, janë mbajtur në përgjim nga Policia. Por nuk ishin të vetmit. Të dyshuar të tjerë ishin edhe Armando Sulejmani, i njohur me nofkën ‘Çipuri’ dhe 'Doqja'.
"Më 4 Dhjetor 2019, përmes një shkrese sekret Prokuroria e Durrësit, iu drejtua kompanisë celulare dhe kërkoi të dhënat për komunikimet e disa personave. Konkretisht, u kërkuan tabulatet e thirrjeve hyrëse dhe dalëse, si dhe mesazhet e shkëmbyera nga data 1 Nëntor 2018 deri më datë 8 Nëntor 2018. Të dhënat për vendndodhjen e celularit, emrin e qelizës, gjatësisë dhe gjerësisë gjeografike, për të njëjtën periudhë. Lista kryesohej nga emri i Fatmir Myfit Hyseni (Musai), i njohur edhe si "Doqja" lindur dhe banues në Vlorë, i datëlindjes 29 Korrik 1977, ndërsa pasohej nga Qamil Shurdhi, Spiro (Bernard) Sinomataj, Sokol Sinomataj, Armando Sulejmani i njohur me nofkën ‘Çipuri’, Eljus Thartori dhe Ermaldo Brahimaj,"-thuhet në shkresë.
Mesa duket skema "Los Pepes" (Të gjithë kundër njërit) është implementuar atje për herë të parë. Kokat e disa prej grupeve më të rëndësishme të qytetit u bënë bashkë për të zhdukur atë që deri në atë moment konsiderohej si i paprekshëm: Edison Harizajn, i cili u ekzekutua në mënyrë mafioze, me më shumë se 50 plumba. As mjeti i tij nuk e shpëtoi nga breshëria e kallashnikovit që u hodh mbi të.
Por edhe pas vdekjes së "Faqedjegurit" dhe arrestimit të Sinomatit, konfliti vazhdoi...
Veçse tashmë, emrat që përballeshin ishin Inez Hajrulla dhe Bernard alias Spiro Sinomataj, xhaxhai i viktimës 23-vjeçare.
I pari që u hodh në sulm ishte fisi Sinomati. Shënjestra ishte e qartë; bëhej fjalë për të eliminuar Inezin, i cili u shpëtoi disa atentateve, edhe pse shpërthimi i shkaktoi dëmtime në të dyja këmbët. Megjithatë u shpëtoi atentateve i gjallë. Por kjo nuk do të thotë që Bernard Sinomataj hoqi dorë, pasi dyshohet se ka paguar edhe herë të tjera vrasës me pagesë për të qëruar hesapet me Inez Hajrullan.
Ky i fundit, u kundërpërgjigj lehtë, vetëm sa për të dërguar një mesazh. Më 4 janar të vitit 2022, i vunë tritol mjetit të Bernard Sinomatit, që ndodhej pranë banesës. Asnjë nuk u dëmtua, veçse mesazhi i shkoi të zotit. Por Sinomati nuk hoqi dorë. Në muajin gusht të vitit 2023, në qytetin e Vlorës, Amarildo Nikolli nga Shkodra shkoi deri në Vlorë për të vrarë me pagesë Inez Hajrullan. Dorazi dyshohet se ishte paguar nga Bernard Sinomati. Por kësaj herë ishte pikërisht Policia ajo që e ndaloi vdekjen, që edhe kësaj here po i kanosej të riut nga Vlora.
"Sipas Policisë, Amarildo Nikolli kishte marrë të gjitha të dhënat e duhura për Inez Hajrullan, krahun e djathtë të dikur kapobandës Edison Harizajt, apo njohur ndryshe si Edison ‘Faqedjeguri’, si dhe lëvizjet e tij në qytet.Pasi porositësi i vrasjes së Hajrulla nuk kishte besim për të gjetur një likujdues të tillë, brenda qytetit. Pasi mund të ishte lehtësisht më i identifikueshëm nga shënjestra dhe njerëzit që i qëndronin pranë. Dhe mesa duket Amarildo Nikolli (Xhanej) i plotësonte më së miri këto kritere. Kjo, jo vetëm pasi ishte i panjohur në qytetin e Vlorës, por kishte edhe një aktivitet të pasur kriminal jashtë vendit,"-thuhet në dosje.
Të njëjtën skemë duket se ka ndjekur edhe Hajrulla për të marrë hak. Edhe ai, rastësi apo jo, kishte gjetur një mjet të vjedhur në Shkodër për të transportuar vrasësit e Gëzim Sinomatit. Mbrëmjen e datës 7 janar 2024, një plumb mjaftoi që t'i merrte jetën të riut, por nuk dihet nëse ishte i dedikuar për të...apo për të xhaxhanë, i cili gjithashtu ndodhej në banesë.
"Gëzim Sinomataj është nipi im. Pasi u kthye në Shqipëri për festat e fundvitit, ai ka qëndruar në shtëpinë time. Në mbrëmje, ai doli për të pirë një cigare. Vetëm pak minuta pasi ai kishte dalë në ballkon unë dëgjova një krismë. Kur unë dola e pashë të rënë në dysheme. Ai ishte goditur me një plumb në kokë,"-tregoi Bernard Sinomataj për Policinë pas ngjarjes.
Por nuk u ndal me kaq!
Më 18 dhjetor, tentohet vrasja e të afërmit të Inez Hajrulla, Kevinit. Edhe pse ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht, dyshohet se sulmi me armë ndaj Kevin Hajrulla në qytetin e Vlorës, është shkaktuar si pasojë e përplasjes mes dy grupeve rivale që drejtohen nga njëra anë nga kushëriri i të dëmtuarit, Inez Hajrulla dhe grupimit tjetër që drejtohet nga Armando Sulejmani që njihet ndryshe me nofkën “Çipuri” dhe Fatmir Hyseni i thirur “Doçja”.
Për Policinë kriminale të Vlorës nuk ka asnjë dyshim tjetër, veç se ngjarja lidhet ngushtësisht me përplasjet e një pas njëshme të këtyre dy grupimeve. Përplasja e këtyre grupeve e ka gjenezën qysh në vitin 1999, dhe më pas është shtrirë deri në kohën e sotme, duke shkaktuar dhjetëra viktima.
Pa kaluar shumë ditë, më 21 dhjetor, tentohet vrasja e Benard Sinomatit.
Edhe ky i fundit mori një "mesazh" pasi një sasi tritoli iu shpërthye në ballkonin e banesës ku jetonte bashkë me të dashurën e tij, Elena Arza. Mbrëmjen e 21 dhjetorit, persona ende të paidentifikuar lëshuan një sasi lënde shpërthyese me dron, të cilën e shpërthyen në momentin që Sinomati dhe partnerja e tij ndodheshin në banesën, në katin e nëntë të një pallati në rrugën “Sadik Petrela”. Dyshja u largua nga banesa menjëherë pas shpërthimit dhe ende nuk janë gjetur.
Tashmë më shumë se kurrë, edhe pse në sipërfaqe gjithçka duket e qetë, situata po vlon. Nga njëra anë kemi një Inez, që po mbrohet nga kundërshtarët e tij. Në anën tjetër, një fis që ka humbur më të riun e familjes, ndoshta edhe më të pafajshmin, i cili të vetmin gabim që kishte, ishte mbiemri që mbante. Konflikti ka nisur, e nëse shteti nuk ndërhyn, edhe në Vlorë do të e vetmja gjë që do të mbetet për t'u bërë është mbledhja e gëzhojave në vendet e ngjarjeve./ZËRI