
SPANJË- Një operacion i titulluar “BOP” nga Garda Civile e Spanjës është finalizuar me shkatërrimin e një grupi kriminal nga Shqipëria, i cili bastiste shtëpitë luksoze në pjesë të ndryshme të Spanjës dhe Portugalisë. Nga ato që bëjnë me dije mediat e huaja, 7 shqiptarët e prangosur futeshin në banesa luksoze në pjesë të ndryshme të Spanjës dhe Portugalisë. Sapo futeshin në banesa, lidhnin personat që gjenin dhe përdornin armë zjarri për të kërcënuar viktimat.
PAMJET NGA GRABITJET:
Hetimi filloi në qershor të vitit 2024, kur u grabit një resort luksoz Sotogrande, që ndodhet në Cádiz. Prej andej, ata kryen grabitje në kryeqytetin Andaluzian, në Cordoba, Murcia, Málaga, Alicante dhe Portugali. Gjatë grabitjeve, autorët kishin interes vetëm për bizhuteritë dhe sendet luksoze që mund t’i mbanin në çanta shpine. Për të lëvizur nga një vend në tjetrin, ata përdornin makina sportive, të cilat ishin të gjithashtu vjedhura dhe me targa false.
Përveç arrestimit të anëtarëve të klanit, ende të paidentifikuar me emra, Garda Civile sekuestroi 44 mijë e 500 euro, 23 mijë e 700 dollarë amerikanë dhe 603 mijë hryva ukrainase. Po ashtu, gjetën shufra ari, si dhe sende të shumta të markave luksoze, duke përfshirë veshje, rripa dhe çanta dore. Gjithsej, Policia ka sekuestruar sende me vlerë 10 milionë euro. Të arrestuarit do të dënohen, ndërsa sendet e vjedhura do u kthehen pronarëve të ligjshëm./ZËRI