
TIRANË-Tre perona janë ndaluar nga Prokuroria në Berat në lidhje me 10 ton mandarina me pesticide, të cilat u kthyen nga Kroacia pak muaj më parë. Mandarinat janë hedhur në tregun shqiptar për konsumim. Elton Tafa me profesion fermer ka shitur te shtetasi Arben Dyli (administrator i pikës së grumbullimit) një sasi prej rreth 10 tonësh mandarina me përmbajtje pesticidi “Fosmet”.
Nga autoritetet kroate, janë kryer analizat e nevojshme nga ku ka rezultuar se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lartë pesticidi “Fosmet”, pesticid ky i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për t’u përdorur. Në këto kushte ngarkesa e mandarinave është kthyer mbrapa ne vendin e origjinës, ku rezulton se është tërhequr nga Dyli dhe më pas dyshohet se është hedhur përsëri ne treg duke mos e asgjësuar sipas procedurës përkatëse.
Elson Tahiraj me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe mbrojtjes se bimëve ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme ndër të cilat dhe subjekti i shtetasit Arben Dyli.
Ndërsa, babai i fermerit të arrestuar, Hekuran Tafa tha se i biri nuk ka shitur në treg mandarina që kanë pasur pesticide. Ai u shpreh se djali i tij nuk ka marrë produktet e mandarinave që u kthyen nga Kroacia, teksa shton se është gjobitur nga AKU dhe e kanë lajmëruar se frutat do të asgjësohen.
Për pesticidin “phosmet” që është gjetur në fruta, Hekuran Tafa shprehet se nuk është helmues, pasi ato mandarina i kanë ngrënë të gjithë si familje. Po ashtu, jashtë kamerave ai ka deklaruar se askush nga fermerët nuk idhte në dijeni që ky pesticid ishte i ndaluar nga Bashkimi Evropian dhe se përdorët nga të gjithë.
Njoftimi:
Seksioni për hetimin e Krimit ekonomik-financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës parë të juridiksionit të përgjithshëm Berat, pas hetimeve disa mujore të kryera në kuadër të Procedimit Penal nr.768 të vitit 2024, i regjistruar për veprat penale “ Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi detyrës”, parashikuar nga nenet 281, 288, 288/c dhe 248 te K.Penal ka bërë ndalimin e shtetasve:
1. Arben Aqif Dyli, i datëlindjes 02.06.1969
2. Elton Hekuran Tafa, i datëlindjes 21.06.1979
3. Elson Petrit Tahiraj, i datëlindjes 10.05.1995
Ndalimi i ktyre shtetasve u bë pasi nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi Elton Tafa me profesion Fermer ka shitur te shtetasi Arben Dyli(administrator i pikës së grumbullimit)një sasi prej rreth 10 tonesh mandarina të cilat më pas subjekti i shtetasit Arben Dyli i ka eksportuar drejt Kroacisë. Nga autoritetet Kroate janë kryer analizat e nevojshme nga ku ka rezultuar se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lartë të pesticidi “Fosmet”, pesticid ky i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për tu përdorur. Në këto kushte ngarkesa e mandarinave është kthyer mbrapa në vendin e origjinës ku rezulton se është tërhequr nga shtetasi Arben Dyli dhe më pas dyshohet se është hedhur përsëri në treg duke mos e asgjesuar sipas procedurës përkatëse.
Gjithashtu dyshohet se shtetasi Elson Tahiraj me detyrë inspektpor pranë Drejtoris Rajonale të Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme ndër të cilat dhe subjekti i shtetasit Arben Dyli.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës parë të Juridiksionit të përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme hetimore.
Bllokimi i mandarinave shqiptare
Në dhjetor të vitit 2024 të paktën 20 ton mandarina të eksportuara nga Divjaka në vendet e Bashkimit Evropian u bllokuan. Vende si Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania kanë bërë analizat dhe kanë vënë re se në ngarkesë ka mbetje të disa substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara për tregtim në BE. Po ashtu, disa ngarkesa janë ndaluar edhe në Kosovë, teksa janë duke kryer analizat mbi produktin.
Por, cilat janë efektet e pesticidit të ndaluar që u gjet tek mandarinat?
Kloperifosi dhe fosmeti janë dy llojet e pesticideve që janë zbuluar në mandarinat që vijnë nga Shqipëria. Kloperifosi nuk është një pesticid që aplikohet për herë të parë në bujqësinë tonë, përkundrazi ka dy hipoteza se përse mandarinat e Konispolit, Lushnjës dhe Beratit dolën të ngarkuara me këto kimikate.
Për shkak të përdorimit të klorperifosit në vitet e kaluara në këto territore mundet që këto mbetje janë përsëri në tokë ose ujë dhe kështu kalojnë në bimë, dhe një rrugë tjetër është qe fermerët të kenë përdorur këto pesticide në spërkatje. Bashkimi Europian, klorperifosin dhe fosmetin i ka hequr nga përdorimi përkatësisht në vitin 2022 dhe 2020, pasi u konfirmuar se këto dy preparatë kishin efekte negative në shëndetin e njeriut. Futja e këtyre dy pesticideve bëhet nëpërmjet rrugës së kontrabandës dhe shitet nën dorë nga farmacitë bujqësore./ZËRI