
TIRANË-Një 27-vjeçar është arrestuar dhe një 25-vjeçare është vënë nën hetim për shantazh përmes rrjeteve sociale. Sipas policisë, dy të rinjtë kërcënonin një 33-vjeçar me 1 mijë euro që të fshinin disa foto dhe shkrime të jetës së tij private në TikTok. Policia ka ndaluar gjithashtu edhe një 21-vjeçar, i cili akuzohet po për kanosje, në lidhje me një ngjarje që ka ndodhur në muajin mars të vitit 2024.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Imazhi”.
Dokumentohen 2 raste të shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë. Kanosën një 33-vjeçar, që t’iu jepte 1000 euro, për të fshirë foto/shkrime mbi jetën private të tij, nga rrjeti social “Tik Tok”, vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër.
Ndalohet dhe 21-vjeçar, për të njëjtën vepër, ndodhur në mars të 2024.
Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Imazhi”.
Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi F. T., 27 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasja L. M., 25 vjeçe, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur një 33-vjeçar, për dhënien e shumës 1000 euro, që të fshinin disa foto/shkrime të jetës së tij private, nga rrjeti social “Tik Tok”./ZËRI