
TIRANË-Sot 113 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë.
28 nëntori u zgjodh sepse në vitin 1443 heroi kombëtar Gjergj Kastrioti me forcat e tij çliroi Krujën dhe ngriti flamurin kuq e zi. 106 vite më pas nga dita kur në Vlorë u ngrit Flamuri dhe Shqipëria u shpall e pavarur kanë kaluar kohë vërtetë të vrullshme.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti u mbaj më 28 nëntor 1912, me delegatët nga Gjakova, Plava, Gucia, nga Peja, Ohri dhe Struga, nga Tetova, Çamëria, nga Mitrovica dhe sipas disa të dhënave, në këtë Kuvend kishte delegatë dhe nga pakicat kombëtare, që jetonin në trojet shqiptare, proklamoi Pavarësinë e tokave Shqiptare, që deri në atë datë ishin nën pushtimin e Perandorisë Otomane dhe u ngrit flamuri Kombëtar Shqiptar.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Arritja e kryengritjes shqiptare të 1912 u dha të kuptonte shteteve ballkanike se gjendja e Perandorisë Osmane ishte e dobët.
Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte “Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.
Qeveria e Vlorës:
Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Dom Nikoll Kacërri, Zv.Kryeministër
Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme
Abdi bej Toptani, Ministër për Financat
Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen)
Petro Poga, Ministër për Drejtësinë
Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin
Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore
Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë
Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli./ZËRI