Aktualitet

19 vatra zjarri në 24 orë! Finiqi, Mallakastra e Mirdita në 'flakë'

Në malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq vazhdon zjarri në një sipërfaqe pyjore

F.I
19 vatra zjarri në 24 orë! Finiqi, Mallakastra e Mirdita në
PAMJE NGA NGJARJA

TIRANË-Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten ende aktive. Vatra e zjarri në fshatin Malaj të Rrëshenit në Mirditë po vijon edhe ditën e sotme. Për shkak të terrenit të vështirë malor, nuk është e lehtë ndërhyrja me forca tokësore, ndërsa janë angazhuar 33 forca, përfshirë zjarrfikësit, punonjës të Pyjores, të Bashkisë, nga Njësia Administrative si dhe banorë të zonës.

Në Dhivër të Finiqit vatra mbetet ende aktive dhe 120 forca nga disa rrethe punojnë në terren. Edhe në Lofkend të Mallakastrës e njëjsa situatë, me 130 forca në terren dhe 11 mjete.

NJOFTIMI:

Vatrat aktive:

– Në malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq vazhdon zjarri në një sipërfaqe pyjore në lartësi, ndërsa në terren po operojnë 10 mjete të shërbimit zjarrfikës të Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës dhe rreth 120 forca operacionale të mbështetur nga ajri si dhe nga efektivë të Forcave të Armatosura.

– Fshati Lofkënd, bashkia Mallakastër: Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha, ndërsa në terren janë dislokuar 11 automjete zjarrfikëse, ndër te cilat 2 të FA si dhe 130 forca nga të gjitha strukturat operacionale, me mbështetje edhe nga ajri, të cilët po punojnë edhe sot për izolimin e plotë të tij.

– Në fshatin Vjollcë, bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pyll pishe dhe shkurre. Është punuar deri në orët e vona nga shërbimi vendor i MZSH, shërbimi pyjor dhe vullnetarë të zonës, pa mundur ta izolojnë vatrën. Rrezik për banesa nuk ka.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar: 48 automjete zjarrfikëse dhe 445 forca operacionale, 9 automjete të rënda, të ndihmuar nga FA me 73 forca ushtarake, 8 automjete zjarrfikëse me ekuipazh dhe mbështetje nga ajri, si dhe dy avionë suedezë të aktivizuar në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë për koordinimin e mëtejshëm të forcave në terren dhe mbështetjen e çdo strukture me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pasurisë së përbashkët. U drejtohet sërish banorëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo vatër të mundshme.

Poll

MOS HUMB