ITALI-Familja e Klaudio Myrtaj, një zdrukthëtar 34-vjeçar shqiptar i vrarë nga një të shtënë me armë zjarri në Vernante më 4 nëntor, dy vjet më parë (2023) vazhdon të hedhë poshtë hipotezën e vetëvrasjes. Prokuroria e mbylli çështjen vitin e kaluar, duke besuar se ishte një vetëvrasje ose ngjarje aksidentale, raportojnë mediat italiane. Familja e shqiptarit të ndjerë ka paraqitur një ankesë kundër pushimit të çështjes.
Ishte pasdite e së shtunës, 4 nëntor 2023, kur trupi i vdekur i të riut shqiptar u gjet në punishten e zdrukthëtarisë në qytetin e muraleve të Pinocchio-s, në Via Umberto Primo, disa hapa larg Bashkisë. Ai vdiq disa orë më vonë në spitalin e Cuneo-s. Nga autopsia rezultoi se ai kishte një plagë plumbi në bark, nga një pistoletë kalibri .22.
Arma, një pistoletë kalibri .22 në pronësi të zdrukthëtarit për të cilin punonte Myrtaj, u gjet pak ditë më vonë, e fshehur në një sirtar dhe pa gjurmë gishtash. Pronari i punishtes, Beppe Vola, u deklarua fajtor korrikun e kaluar për posedimin e paligjshëm të asaj arme dhe një tjetre, si dhe të një silenciatori të prodhuar në shtëpi.
Prokuroria italiane përjashton mundësinë e vrasjes
Për Prokurorinë, pozicioni i trupit - vetëm njëzet centimetra nga muri - do të përjashtonte praninë e një ekzekutori, ndërsa për mbrojtjen dhe avokatin e partneres së shqiptarit, Alessandro Parola, ky fakt forcon dyshimin për vrasje.
"Do të ishte vetëvrasja e vetme në të cilën arma nuk është pranë trupit", u shpreh avokati.
Ditën e tragjedisë, Myrtaj i kishte dërguar një mesazh të fundit partneres së tij, një kamariere nga Limone Piemonte, pak para se të gjendej duke vdekur. Thashethemet për një akt impulsiv, të lidhur me probleme romantike ose alkool, janë mohuar gjithmonë nga partnerja dhe familja e 34-vjeçarit.
Familja vijon ‘luftën’ me autoritetet për t’i shkuar deri në fund kësaj historie, dhe për të zbuluar të vërtetën për vdekjen misterioze të djalit të tyre./ZËRI

