TIRANË-BE ka publikuar progresin raportin për Shqipërinë për vitin 2025. Në pjesën që lidhet me median, Progres-raporti ngre shqetësime serioze për mungesën e vetërregullimit, polarizimin e skajshëm dhe presionin ndaj gazetarëve, veçanërisht në mediat online.
Raporti vëren gjithashtu se kapacitetet e sigurisë kibernetike në vend mbeten të dobëta dhe gjatë periudhës së raportimit janë regjistruar disa sulme ndaj mediave online. Po ashtu BE ndalet edhe te kushtet e punës dhe siguria profesionale e gazetarëve shqiptarë. Raporti thekson se pagat e ulëta, ngarkesa e lartë e punës dhe presioni politik kanë ushqyer autocensurën, e cila “mbetet e përhapur në media”.
“Vetërregullimi në sektorin e medias mbeti i dobët dhe i penguar nga burimet e kufizuara, peizazhi i polarizuar dhe përdorimi i retorikës nxitëse në debatin publik. Mbetet e rëndësishme të promovohet respektimi i kodeve etike në të gjithë sektorin. Siguria e kufizuar në punë dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët, të kombinuara me vetëcensurë dhe presion nga aktorët politikë dhe pronarët e mediave, vazhduan të paraqesin sfida serioze. Problemet mbeten me pagat e papaguara, ngarkesat e tepërta të punës dhe pasigurinë, veçanërisht në mediat lokale dhe online,” nënvizon raporti.