Aktualitet

26-vjeçarja nuk veproi e vetme! Arrestohet personi që e ndihmoi të mbyste me tel të atin

Në deklarimin e parë të saj Emalinda Rama është shprehur përpara efektivëve se i ati ishte rrëzuar në shtëpi aksidentalisht dhe kishte ndërruar jetë. Por shenjat në fytin e Anesti Rama, 56 vjeç, bënë që Policia e Fierit të dyshonin se kishin të bënin me një vrasje dhe jo me ngjarje aksidentale.

F.m
26-vjeçarja nuk veproi e vetme! Arrestohet personi që e ndihmoi
Çlirim Dogani

FIER- Emalinda Rama, 26-vjeçarja e vënë në pranga për vrasjen e të atit nuk ka vepruar e vetme. Policia e Fierit bën me dije se sot është vënë në pranga Çlirim Dogani 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj të Roskovecit. Sipas bluve, Dogani ka bashkëpunuar me Ramën për të mbytur me tel babain e saj Anesti Rama, si dhe ka përdorur sende të forta dhe mjete prerëse. 

Deri më tani në pranga është vënë vetë 26-vjeçarja por edhe nëna e saj Valbona Rama, e cila e ndihmoi të bijën të fshihte krimin. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona të 23 korrikut, por policia u njoftua orë më vonë, pasi nënë e bijë kishin kryer ritet mortore.

Në deklarimin e parë të saj Emalinda Rama është shprehur përpara efektivëve se i ati ishte rrëzuar në shtëpi aksidentalisht dhe kishte ndërruar jetë. Por shenjat në fytin e Anesti Rama, 56 vjeç, bënë që Policia e Fierit të dyshonin se kishin të bënin me një vrasje dhe jo me ngjarje aksidentale.

Nga këqyrja e kufomës u konstatua se trupi i pajetë kishte shenja dhune edhe në pjesët intime. Vrasja dyshohet të jetë menduar mirë nga nënë e bijë. E gjitha kjo pasi të dyja e kishin dërguar dy ditë më parë tek kardiologu me qëllim që të justifikonin vdekjen e Anesti Ramës. Pas zbardhjes së krimit, Emelinda Rama e ka pranuar vrasjen dhe ka deklaruar se babai i saj ishte fanatik, nuk e linte të dilte dhe ndaj ishte detyruar të ndërmerrte aktin ekstrem. Nëna e të resë ka mohuar përfshirjen në ngjarje, ndërsa familjarët tregojnë se 56-vjeçari keqtrajtohej nga nënë e bijë prej vitesh, shkonte i dhunuar në punë dhe madje e kishin lënë të jetonte në një dhomë të veçuar jashtë shtëpisë./ZËRI/

Njoftimi i policisë Fier:

Punë e pandërprerë hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau për motive të dobëta, babanë e saj.

Vihet në pranga bashkëpuntori i 26-vjeçares.

Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Ç. D., 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.

Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB