TIRANË- Sot pritet rrezik maksimal për përhapjen e zjarreve në të gjitha qarqet e vendit, si pasojë e temperaturave të larta dhe kushteve të thata atmosferike. Sipas IGJEUM, temperaturat në disa zona të vendit pritet të kapin vlerat më të larta të regjistruara, duke e bërë këtë ditën më të nxehtë të vitit 2025 deri tani.
Ky paralajmërim bazohet në të dhënat e raportuara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM), si dhe Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile të Bashkimit Europian (ERCC).
Reagimi ka ardhur edhe nga Ministria e Mbrojtjes, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura. Po ashtu, çdo rast i dyshimtë duhet të raportohet menjëherë pranë autoriteteve përkatëse.
Bëhet me dije se Komiteti i Mbrojtjes Civile ka kërkuar rritjen e menjëhershme të gatishmërisë nga të gjitha institucionet përgjegjëse dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të përballuar situatat emergjente që mund të lindin.
Bashkëlidhur me njoftimin, Ministria e Mbrojtjes ka publikuar edhe hartat referuese që tregojnë nivelin e rrezikut për vatra zjarri për secilin qark të vendit.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
“Ministria e Mbrojtjes njofton se, sipas të dhënave të raportuara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, IGJEUM dhe Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile të BE-së (ERCC), në datën 26 korrik pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit. Komiteti i Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të rrisin gatishmërinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, ndërsa qytetarët i ftojmë të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë te autoritetet. Bashkëlidhur hartat referuese sipas nivelit të rrezikut për çdo qark.” /ZËRI/