TIRANË- Personi që po shikoni në foto është Çlirim Dogani, 55-vjeçari që është vënë në pranga për vrasjen e Anesti Ramës në Fier. Sipas raportimeve të deritanishme, Dogani dyshohet se ka pasur lidhje intime me vajzën e viktimës, Emalinda Ramën dhe e ka ndihmuar atë të mbysë me tel të atin.
Por, përpara autoriteteve, Dogani ka mohuar përfshirjen në ngjarje.
“Nuk di asgjë, nuk kam lidhje me këtë histori”, është shprehur Çlirim Dogani.
Sipas bluve, Dogani ka bashkëpunuar me Ramën për të mbytur me tel babain e saj Anesti Rama, si dhe ka përdorur sende të forta dhe mjete prerëse. Deri më tani në pranga është vënë vetë 26-vjeçarja por edhe nëna e saj Valbona Rama, e cila e ndihmoi të bijën të fshihte krimin. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona të 23 korrikut, por policia u njoftua orë më vonë, pasi nënë e bijë kishin kryer ritet mortore.
Në deklarimin e parë të saj Emalinda Rama është shprehur përpara efektivëve se i ati ishte rrëzuar në shtëpi aksidentalisht dhe kishte ndërruar jetë. Por shenjat në fytin e Anesti Rama, 56 vjeç, bënë që Policia e Fierit të dyshonin se kishin të bënin me një vrasje dhe jo me ngjarje aksidentale.
Nga këqyrja e kufomës u konstatua se trupi i pajetë kishte shenja dhune edhe në pjesët intime. Vrasja dyshohet të jetë menduar mirë nga nënë e bijë. E gjitha kjo pasi të dyja e kishin dërguar dy ditë më parë tek kardiologu me qëllim që të justifikonin vdekjen e Anesti Ramës. Pas zbardhjes së krimit, Emelinda Rama e ka pranuar vrasjen dhe ka deklaruar se babai i saj ishte fanatik, nuk e linte të dilte dhe ndaj ishte detyruar të ndërmerrte aktin ekstrem. Nëna e të resë ka mohuar përfshirjen në ngjarje, ndërsa familjarët tregojnë se 56-vjeçari keqtrajtohej nga nënë e bijë prej vitesh, shkonte i dhunuar në punë dhe madje e kishin lënë të jetonte në një dhomë të veçuar jashtë shtëpisë./ZËRI/
