KOSOVË- Kosova përkujton sot 27-vjetorin e një prej masakrave më të dhimbshme të historisë së saj, atë në Reçak, e cila i mori jetën 45 civilëve të pafajshëm dhe të paarmatosur. Kjo tragjedi është cilësuar si krim kundër njerëzimit nga ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ndërsa ngjarja ishte një pikë kthese për ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar. Presidentja Vjosa Osmani ka takuar gjatë ditës së djeshme, William Walker, të cilin e vlerëson për rolin e madh që ka pasur në historinë e Kosovës.
“Sikurse çdo vit, në prag të përvjetorit të Masakrës së Reçakut, u bëmë bashkë me ambasadorin William Walker, njeriun, i cili në orët më të errëta të Kosovës, e tha dhe e mbrojti të vërtetën.
Ai është zëri që e ktheu dhimbjen tonë në thirrje për drejtësi. Mirënjohja jonë është e përjetshme, ashtu sikurse obligimi ynë që e vërteta e Reçakut të mos harrohet kurre”, shkruan Osmani në reagimin e saj.

SI NDODHI MASAKRA
Në datën 15 Janar 1999, i gjithë Reçaku u zgjua i rrethuar, ndërsa u masakruan për vdekje 45 shqiptarë, të cilët ishin të paarmatosur përballë forcave serbe. Sipas dëshmitarëve të kohës, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
ZGJIMI I FAKTORIT NDËRKOMBËTAR
Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e përjetuara nga popullsia civile, shpalosën në dritën e diellit planin për shfarosjen e shqiptarëve, nga krimineli serb Sllobodan Millosheviç.
Pas kësaj masakre me pasoja në jetët e civilëve të pafajshëm, pati një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, të cilat rezultuan të pasukseshme në arritjen e një matrëveshje. Kjo solli më pas reagimin dhe ndërhyrjen e NATO-s, kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Masakra e Reçakut gjeti jehonë në të gjitha kancekaritë ndërkombëtare, ndërkohë që ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, do të jepte një deklaratë, ku thuhej se pritej me ankth fati i Kosovës.
Shefi i misionit të OSBE-së, William Walker shkoi menjëherë pas ngjarjes në vendin ku ndodhi masakra, ndërkohë që e përcaktoi atë që kishte ndodhur me 3 fjalë: Krim kundër njerëzimit.
Pas Masakrës në Reçak, rifilluan luftimet 48-orëshe në mes të UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa dhe e dëshmoi krimin.
Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.
78 DITË LUFTIME
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi. Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.