DURRËS- Përmbytjet e fundit në qytetin bregdetar të Durrësit nxorrën në 'sipërfaqe' jo vetëm dëmet, por edhe abuzimet me tenderat e hidrovorit që është jashtë funksionit. Emisioni investigativ Plug publikoi dokumenta që faktojnë një skemë të mirëfilltë fiktive, sipas të cilave tenderat për ndërtimin e hidrovorit të ri në Porto Romano kanë qenë fiktiv.
Por, historia e abuzimit nis në vitin 2021, 2 vite pas tërmetit të 2019-ës, atëherë kur Këshilli i Ministrave miraton fondin 82.000.000 lekë nga fondet e rindertimit për “Për financimin e hartimit të projekt preventivit dhe riforcimin e hidrovorit Durrës”. Brenda një afati gati dy mujor, kryebashkiakja Emirjana Sako nis punën për hartimin e tenderin
Më 10 maj të 2021-it u bë njoftimi publik për studimin e projektimit të hidrovorit të ri në Porto Romano, ku në garë morën pjesë 7 kompani me oferta të ndryshme, por fitues u shpall ajo më larta. Konkretisht, bashkimi i operatorëve INVICTUS+ANGERBA dhe TOUER u shpall fitues me një ofertë prej rreth 820 mijë euro, përballë oferta të tjera shumë herë më të ulëta.
Menjëherë pas kësaj faze, nis ajo e përgatitjes së studimit dhe afati i dorëzimit. Bashkimi i operatorëve që u shpall fitues kishte një afat 12 mujor për të dorëzuar studimin, që prej datës 22 qershor të po atij viti kur i lidh kontrata. Në një kohë rekord, prej vetëm 4 muajsh, Bashkia Durrës, shpall tenderin për ndërtimin e hidrovorit me vlerë 19 milionë euro. Pra, nga një afat që sugjeronte një vit për të dorëzuar studimin e projektit, kaloi në vetëm 20 ditë. Një muaj më pas, projekti u miratua nga Këshilli me kërkesë të kryebashkiakes Emirjana Sako. Studimi dhe hartimi i projektit për 19 ditë dhe miratimi brenda një kohe kaq të shkurtër ngre dyshimet se kemi të bëjmë me një tender projektimi fiktiv.
Por, abuzimi me tendera nuk mbaron me kaq...Dyshohet se e njëjta skemë është zbatuar edhe në tenderin kryesor për ndërtimin e hidrovorit, me një limit 19 milionë euro. Ky tender u fitua nga bashkimi i kompanive 2t Shpk e Gramos Sakos, Vëllezërit Hysa, që merr tendera nga qeveria dhe Adriatik SHPK, në pronësi të Petrit Kovaçit, babait të Spartak Kovaçit, ish-drejtorit të ujësjellësit të Durrësit.
Që nga studimi, projektimi, ndërtimi për të përfunduar me mbikëqyrjen e punimeve. Këtu, fituese shpallet njëra prej kompanieve që fitoi edhe një projektimin e hidrovorit "INISTUS". Dy kompanitë e tjera janë Hydro Eng Consulting dhe ANGERBA, të cilat dyshohet se kanë pronarë fiktiv, pasi administratorët e tyre punojnë përkatësisht në kompanitë Gener 2 dhe Kupa shpk.
Si përfundim, dyshohet se kemi të bëjmë me nje skemë fiktive, pasi ndërtimi projektimi dhe ndërtimi i hidrovorit rezulton të jetë bërë nga persona e kompani që e kanë hartuar vetëm sa për të justifikuar tenderin e paracaktuar. Ndërtimi i Hidrovorit u krye nga kompani në emër të babait të drejtorit kryesor të Autoritet Kontraktues, dhe më pas kontrolli nëse janë kryer siç duhet punimet u kontraktua kompania në emër të vëllait të Drejtorit Teknik të Ujësjellësit dhe kompania që u përdor për realizimin e studimit dhe projektimit fake.
Ndërsa qyteti bregdetar i Durrësit doli me një hidrovor që nuk funksionon dhe që solli pasoja shkatërrimtare pas reshjeve intensive pak ditë më parë, që çoi në përmbytjen e banesave, bizneseve dhe fatkeqësisht edhe viktima.