Aktualitet

Nga Lulzim Berisha te Orges Molla, dhe të dënuar brazilianë/ Më të rrezikshmit e burgut të Durrësit transferohen në Peqin

Operacioni është kryer rreth mesnatës, ndërkohë që transferimi i të dënuarve është bërë nën masa të rrepta sigurie

E.K
Nga Lulzim Berisha te Orges Molla, dhe të dënuar brazilianë/
altin ndoci, juxhin koka dhe lulzim berisha

DURRËS- Të paktën 15 të dënuar, kryesisht me rrezikshmëri të lartë janë zhvendosur mesnatën e djeshme nga burgu i Durrësit, në drejtim të Peqinit, pas ngjarjes që tronditi sigurinë e Institucioneve të Vuajtjes së Dënimit, ku Altin Ndoci arriti që të arratisej nga spitali infektiv i Durrësit. Në mesin e të dënuarve VIP që janë zhvendosur nga burgu i Durrësit janë edhe ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ish-efektivi i policisë Orges Molla, i përfshirë në një grup kriminal të trafikur të drogës, Juxhin Koka, i ekstraduar nga Spanja, si dhe dy shtetas brazilianë, dhe një tjetër nga Venezuela.

Transferimi i tyre u krye nën masa të rrepta sigurie, pas urdhrit të dhënë nga Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, i cili ndër masat e para që mori ishte dhe ajo për shkarkimin e drejtorit të burgut të Durrësit. Kanë qenë gjithsej 206 të dënuar dhe paraburgosur, që u rivlerësuan për shkallën e rrezikshmërisë, ndërsa më problematikët u përzgjodhën për dërguar në Peqin, i pajisur me seksione të posaçme të sigurisë së lartë, përfshirë dhe regjimin 41 Bis.

Aktualisht, në Burgun e Durrësit vijojnë të qëndrojnë ish-deputeti Jurgis Çyrbja, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, si edhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë të akuzuar nga SPAK dhe në proces gjykimi.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka urdhëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të hartojë një plan të ri dhe të rishpërndajë nëpër seksione të burgosurit, bazuar në rrezikun shoqëror që kanë. Në deklaratën e tij, Lamallari i kërkoi drejtorit të burgjeve që të paraburgosurit dhe të dënuarit me rrezikshmëri të lartë, të transferohen nga Durrësi, në burgje të tjera. 

“Thirra sot një takim të posaçëm me drejtuesit e të gjitha Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në vend. Pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës pas ngjarjes së rëndë dhe pezullimit të menjëhershëm të të gjithë zinxhirit përgjegjës, kam kërkuar masa urgjente për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.  Kërkova nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të bëjë një vlerësim të parametrave të sigurisë dhe rishpërndarjes së IEVP Durrës, duke konsiduruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë. Kam urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve të shpeshtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të e vendit, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme për cënim të sigurisë. Siguria në burgje është një prioritet absolut dhe nuk do të tolerohet asnjë formë neglizhence apo shkeljeje e procedurave standarde. Çdo tentativë për të sfiduar rendin, sigurinë dhe autoritetin e ligjit nëpër burgje cënon gjithashtu sigurinë publike, besimin dhe bashkëpunimin me agjenicitë ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë. Në çdo rast përgjegjësit do të përballen ligjërisht pa kompromis dhe pa humbur kohë me pasojat e veprimeve të tyre”, deklaroi dje Lamallari.

Altin Ndoci mbërriti me ambulancë në spitalin e Durrësit, pa pranga mes efektivëve mesditën e 13 janarit, ku së bashku me një tjetër të paraburgosur, u shoqërua drejt repartit të Infektivit pas shqetësimeve në veshka. Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga pas mjekimit, i kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera është hapur 38-vjeçari goditi një nga efektivët dhe u largua me shpejtësi duke zbritur shkallët nga kati i tretë i infektivit. Një prej efektivëve qëlloi për ta trembur, por ai ka arritur të largohet me vrap ndërsa një “Audi A7” e priste në parkimin e spitalit të Durrësit./ZËRI 

Poll

MOS HUMB