Aktualitet

27-vjeçarja shqiptare gjendet e vdekur në Itali, ngrihen dyshime mbi bashkëshortin e saj 24 vite më të madh

Prokuroria e Larinos ka hapur hetimet pasi dyshohet se bashkëshorti e ka nxitur atë për të kryer vetëvrasje.

I.F
27-vjeçarja shqiptare gjendet e vdekur në Itali, ngrihen dyshime mbi
FOTO ILUSTRUESE

ITALI- Një 27-vjeçare shqiptare është gjetur pa shenja jete pranë një ure të njohur si “Ura e Sherifit”, në rrugën që lidh zonën Larino me Biferninën. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet vendase dhe ka ngjallur reagime të forta në komunitetin lokal. Mësohet se ishte bashkëshorti i saj, një 51-vjeçar që lajmëroi autoritetet se ajo ishte zhdukur dhe e gjeti atë të varur në një pemë. Por, Prokuroria e Larinos ka hapur hetimet pasi dyshohet se bashkëshorti e ka nxitur atë për të kryer vetëvrasje. Është urdhër të kryhet një autopsi më 2 maj, e cila pritet të hedhë dritë mbi arsyen e vdekjes së saj.

Sipas banorëve të zonës, gruaja jetonte vetëm me djalin e saj 7 vjeç dhe punonte në një qendër për pritjen e emigrantëve. Thuhet se ajo kishte ndërprerë marrëdhënien me bashkëshortin pas një krize martesore. Vetë burri i saj, i cili ka një të kaluar me probleme me ligjin, u mor në pyetje për orë të tëra nga hetuesit, por për momentin nuk ka persona të dyshuar të regjistruar në hetim.

Banorët e fshatit, të tronditur nga humbja, e kujtojnë të renë si një nënë të përkushtuar dhe të dashur, që kujdesej shumë për të birin. Dyshimet për rrethanat e vdekjes janë të shumta, dhe të afërmit e saj e kanë të vështirë të besojnë se ajo ka kryer vetëvrasje.

“Ajo ishte gjithmonë e buzëqeshur, fëmija i saj ishte jeta e saj”, thonë të njohurit e saj.

Hetimet po vazhdojnë, ndërsa komuniteti lokal është në pritje të zbardhjes së së vërtetës për ngjarjen që ka lënë pas një fëmijë pa nënë dhe shumë pyetje pa përgjigje./ZËRI

Poll

MOS HUMB