Aktualitet

Përplasja në 'dyert' e kantierit, Pacolli: Terrorizim ndaj punonjësve! Aeroporti i Vlorës: S'ka konflikt mes ortakëve

Lidhur me këtë incident, ka reaguar vetë Behgjet Pacolli, i cili e ka cilësuar ngjarjen si një akt të terrorizimit ndaj punonjësve të "Mabco" dhe ka theksuar se kompania është e ekspozuar me mbi 300 milionë euro në Vlorë.

zh.ll
Përplasja në 'dyert' e kantierit, Pacolli: Terrorizim ndaj
ademi-pacolli

VLORË- Tensione të forta janë regjistruar sot në kantierin e Aeroportit të Vlorës, mes punonjësve të kompanive aksionere. Në portën hyrëse të kantierit, përfaqësuesit e kompanisë "2A", të Valon Ademit, ish-ortak i Behgjet Pacollit që zotëron 2% të aksioneve – nuk lejuan punonjësit e kompanisë "Mabco" të hynin në kantier.

Lidhur me këtë incident, ka reaguar vetë Behgjet Pacolli, i cili e ka cilësuar ngjarjen si një akt të terrorizimit ndaj punonjësve të "Mabco" dhe ka theksuar se kompania është e ekspozuar me mbi 300 milionë euro në Vlorë.

Pacolli ka lidhur situatën me veprimet e ish-punonjësit Valon Llukës, i cili sipas tij ka vepruar në mënyrë të pamoralshme dhe ka tradhtuar besimin e dhënë, duke përfituar financiarisht nga pozicioni që kishte brenda grupit.

Postimi i plotë i Pacollit:

Kjo që po ndodh në Vlorë, ky terrorizim i grupeve kriminale ndaj punonjësve të investitorit të vetëm Mabco (pronarit të 98% të kuotave), i cili është i ekspozuar me mbi 300 milionë euro në Vlorë, i inkurajuar nga vendime gjyqësore të përkohshme, joligjore dhe jokushtetuese, e ka zanafillën te veprimet e pamoralshme, të dënueshme, mashtruese dhe tradhtare të Valon Llukës. Ai erdhi në grupin Mabetex, kaloi nëpër shumë funksione, u pasurua dhe në fund, pas 18 vitesh, tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe tradhtoi besimin që ia kishim dhënë.
Siç po e shihni, prej 9 muajsh jemi duke u përballur çdo ditë me trauma marramendëse, në kërkim të së drejtës dhe në përpjekje për të evituar më të keqen.
Tani po te drejtohem ty, A nuk të mjaftonte paga prej 30 mijë eurosh (me të gjitha të mirat e mirëkuptimin që kishe), por fute duart edhe te tjetërsimi i pronës që nuk është e jotja. Si munde ta shesësh pronën e huaj? Kush të shtyu ta bësh atë? E bëre për një përqindje, ashtu siç të kishte premtuar partneri yt në këtë vepër kriminale, nëse do ta kryenit me sukses këtë akt të shëmtuar.
Ti falsifikove dokumente, vula dhe çdo gjë tjetër. Pse, para se ta kryeje këtë akt të shëmtuar, nuk erdhe të kërkoje ndihmë, si herët e tjera? Ndoshta do të të kisha ndihmuar. Pse e mbajte këtë akt të fshehur për më shumë se 5 muaj, derisa rastësisht e zbuluam, pse unë nuk kisha bërë asnjë hulumtim, sepse kisha besim tek ti?
Ti i përbuze të gjitha: përbuze bujarinë dhe shtëpinë time. Mos harro se drejtësia, herët a vonë, vjen si rrufeja.

Ndërkohë që pas raportimeve dhe reagimit të Pacollit, ka reaguar edhe vetë Aeroporti i Vlorës. Përmes një reagimi publik, VIA ka përgënjeshtruar lajmet, duke theksuar se kjo situatë nuk ka lidhje me ndonjë konflikt mes ortakëve të shoqërisë koncesionare. 

Në reagim theksohet se kjo është një çështje kontraktuale ndërmjet shoqërisë koncesionare dhe një prej kontraktorëve të shumtë të angazhuar në projekt. 

Reagimi i plotë i VIA-s: 

Përplasja në 'dyert' e kantierit, Pacolli: Terrorizim ndaj

Nga ana tjetër, në një reagim publik, Mabco ka theksuar se që prej mëngjesit të sotëm rreth 200 punonjës janë penguar për të hyrë në kantier. Sipas kompanisë, ky pengim është i paligjshëm dhe po ndodh nga persona që veprojnë në emër të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k.

Ekipi ligjor i Mabco ka njoftuar Prokurorinë e Vlorës, Kryeministrin dhe Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e ligjit, rendit publik dhe kontratës koncesionare.

Njoftimi i Mabco Constructions S.A:

Sot, në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, po zhvillohet një situatë e papranueshme, plotësisht e paligjshme dhe në kufijtë e veprimeve penale të dënueshme.

Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A., si dhe të nënkontraktorëve të saj, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ndërtuar dhe ngritur.

Mabco Constructions S.A. është ortaku mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitori kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte.

Ky pengim i njëanshëm dhe i paligjshëm po kryhet nga persona që veprojnë në emër të shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., nën drejtimin e një administratori, z. Vegim Hoxha, emërimi i të cilit aktualisht është objekt shqyrtimi gjyqësor.

Mabco Constructions S.A. ka kontestuar kategorikisht çdo pretendim për “zgjidhje kontrate” dhe e konsideron atë një akt të paligjshëm, të kryer nga një administrator pa autoritet të ligjshëm.

Çdo veprim i ndërmarrë nga pala me 2% të kuotave apo nga persona të emëruar prej saj në mënyrë të paligjshme, që synon përjashtimin e ortakut mazhoritar 98% nga kantieri, përbën një cenim të rëndë të të drejtave të tij si ortak, investitor dhe garantues financiar i projektit koncesionar.

Ekipi ynë ligjor ka njoftuar që prej ditës së premte dhe sërish gjatë ditës së sotme:

Prokurorinë e Vlorës;

Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë;

Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues; duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e rendit publik, ligjit dhe integritetit të Kontratës së Koncesionit.

Kjo situatë po rrezikon seriozisht: sigurinë dhe rendin publik në kantier; vijimësinë e punimeve për certifikimin dhe hapjen e aeroportit; investimin e madh zviceran dhe interesin kombëtar të projektit.

Mabco Constructions S.A. u bën thirrje autoriteteve kompetente që të veprojnë pa vonesë për të garantuar aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve tanë në kantier, në përputhje me ligjin dhe kontratën koncesionare.

Ne duam të besojmë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Mabco Constructions S.A. do të vazhdojë të ushtrojë të gjitha të drejtat e saj ligjore, civile dhe penale ndaj çdo personi apo subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin publik.

Vlen të theksohet se kjo është përplasja më e fundit nga konflikti i nisur muaj më parë nga dy ortakët e shoqërisë “VIA”. Shkak për konfliktin është çështja e kuotave të aksioneve./ZËRI

Poll

MOS HUMB