PEQIN-Forcat Operacionale të Burgjeve kanë zbarkuar sot në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku zhvilluan kontrolle të imtësishme. Gjatë aksionit në godinën B, në dhomën 11, të dënuarit Indrit Shaqja iu gjet një telefon celular në gjendje pune, i ndezur dhe në karikim, si edhe një USB.
Por kjo nuk është hera e parë që Shaqja siguron një telefon në qeli. Edhe në një aksion të ndërmarrë në shtator të 2025, të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e Arben Lleshit, iu gjet një aparat celular. Po ashtu në një tjetër rast kontrolli në dhjetor 2024, të dënuarit përjetë iu gjet një aparat celular, si dhe një predhë që i përkiste armës së Sokol Mjacajt, që qëlloi për vdekje Lleshin.
Kush është Indrit Shaqja
Indrit Shaqja u arrestua në Barcelonë të Spanjës për vrasjen e dy të moshuarave në qytetin bregdetar të Durrësit, më 2 shtator 2014. Shaqja u fut në banesën e dy kunatave, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç, për të vjedhur sende më vlerë dhe para, por kishte hasur në kundërshtinë e tyre, ndaj edhe nisi torturën deri në vdekje. Viktimat u gjetën nga policia të lidhura dhe mbytura me qese plastmasi në kokë në shtëpinë e tyre në lagjen nr.11 të Durrësit mbrëmjen e 2 shtatorit 2014.
NJOFTIMI:
Kontroll blic në IEVP Peqin
Në bazë të të dhënave operative, strukturat e Policisë së vetë institucionit ushtruan kontroll blic në godinën B, sektori nr. 2, dhoma 11, kati i parë.
Gjatë kontrollit, të dënuarit me iniciale I.SH. iu gjet dhe sekuestrua një telefon celular në gjendje pune, i ndezur dhe në karikim, si edhe një USB.
Për rastin u njoftuan menjëherë strukturat e SHKBB-së për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon luftën pa kompromis ndaj futjes dhe posedimit të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.


