Aktualitet

Inceneratori i Elbasanit/ Shtyhet seanca paraprake për Arben Ahmetajn, zbulohet shkaku

Ndërkohë, gjykata ka urdhëruar sërish njoftimin e të pandehurve në adresat përkatëse dhe ka caktuar datën 15 qershor për seancën e radhës.

zh.ll
Inceneratori i Elbasanit/ Shtyhet seanca paraprake për Arben Ahmetajn,
arben ahmetaj

TIRANË- Seanca paraprake ndaj Arben Ahmetaj, e lidhur me fraksionin e dosjes së inceneratorit të Elbasanit, e cila ishte planifikuar të mbahej këtë të hënë, është shtyrë.

Burimet nga gjykata bëjnë me dije se shkak për shtyrjen ka qenë moskthimi i përgjigjes nga të akuzuarit në mungesë për marrjen dijeni mbi procesin gjyqësor. Ndërkohë, gjykata ka urdhëruar sërish njoftimin e të pandehurve në adresat përkatëse dhe ka caktuar datën 15 qershor për seancën e radhës.

Të pandehur në këtë proces janë Arben Ahmetaj, Erjola Hoxha, Albina Manccka, Mirel Mëriti, Klodian Zoti, Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe  Sokol Meqemeja.

Ish-zv.kryeministri Ahmetaj që ndodhet në arrati që prej verës 2023, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash në 5 raste në bashkëpunim dhe fshehje apo mosdeklarim pasurie në 15 raste.

Ahmetaj akuzohet se ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri pagesa për investimet e kryera nga ai dhe ish-bashkëshortja për shndërrimin e apartamentit të tyre në AirBnb. Pagesat janë kryer nga shoqëria “Integrated Techonogy Services” sh.p.k., në shumën prej më shumë se dy milionë e shtatë mijë lekësh. Në dosjen e SPAK ish-zv.kryeministri akuzohet se ka përfituar nga biznesmenët Zoto e Mërtiri shumën prej njëqind e shtatëdhjetë mijë lekësh nëpërmjet një shitje fiktive, të kryer përmes të pandehurve Andi Boni dhe Helidon Begaj.

Ish-zv.kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI

Poll

MOS HUMB