SHBA- Detaje të reja dalin nga publikimi i dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, lidhur me abuzuesin seksual dhe trafikantin Jeffrey Epstein. Mes tyre figuron edhe një vajzë shqiptare, me inicialet E.T e cila kishte aplikuar për një vend pune si asistente e Epstein.
“Përshëndetje, jam e interesuar për punën për të cilën i thatë Evan Luthra-s, por unë nuk jam me bazë në SHBA. A është kjo problem?”, thuhet në email që ka dërguar vajza shqiptare.
Ajo ishte rreth 21-22 vjeç dhe jetonte në Paris, kjo u zbulua nga mesazhet në email mes asistentit dhe Jeffrey Epstien: "Ta marr në intervistë këtë? Është 21-22 vjeçe, jeton në Paris", pyet asistenti trafikantin.
Ajo kishte dërguar dokumentet dhe foto, së bashku me CV-në, pasi asisteni i kishte kërkuar asaj: “3 foto me cilësi të mirë dhe CV-në”. Nga emailet nuk rezulton nëse ajo më pas u punësua si asistente e trafikantit.
Nga dosjet hetimore mbi Jeffrey Epstein, u zbulua një email i 25 majit 2012 nga Thorbjørn Jagland, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, dërguar Epstein pas një vizite zyrtare në Shqipëri. Në mesazh, Jagland shkruante shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”. Vizita e tij zyrtare në Tiranë kishte ndodhur më 24 maj 2012 dhe përfshinte takime institucionale me Edmond Haxhinaston, ministër i Jashtëm, Sali Berishën, kryeministër, dhe Bamir Topin, president i Republikës.
Epstein është një figurë e përfshirë në skandale të rënda ndërkombëtare. Historia e tij fillon në vitin 2008, kur ai arriti një marrëveshje me prokurorët në Florida, pasi akuzohej për abuzim seksual të një vajze 14-vjeçare. Në 2019, ai u akuzua sërish për drejtimin e një rrjeti të vajzave të mitura për shfrytëzim seksual, por vdiq në burg ndërsa priste gjyqin, me vdekjen e shpallur vetëvrasje.
Pas marrjes së detyrës nga Trump në shkurt 2025, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI publikuan fazën e parë të “dosjeve të deklasifikuara të Epstein”. Në dokumentet e publikuara prej 341 faqesh përfshihen regjistrat e fluturimeve me avionin privat të Epstein dhe një version i redaktuar i “librit të zi” të kontakteve të tij, ku përmenden edhe dhjetëra figura të njohura si Donald Trump, Princ Andrew, ish-Presidenti Bill Clinton dhe këngëtari Michael Jackson. Asnjëri prej tyre nuk është akuzuar zyrtisht për ndonjë krim të lidhur me Epstein./ZËRI