
TIRANË- Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit "Stresi", është vetëdorëzuar në Policinë e Pejës. Ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi akuzohej se ka dhunuar personazhin e njohur në "TikTok", Medi Isenin. Stresi akuzohet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” pas një sherri që ndodhi me Medi Isenin në një klub nate në Pejë.
“Po, rreth orës9:00, personi i kërkuar Arkimed Lushaj është vetëdorëzuar në polici së bashku me avokatin e tij. I njëjti ishte shpallur në kërkim nga policia para disa javësh”, konfirmoi zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Për të njëjtën çështje, vetëm një javë më parë pas 75 ditësh qëndrimi në paraburgim në Shqipëri u lirua Bahtjar Bajraktari (DJCrax). Edhe reperi tjetër, Rigels Rajku, Noizy, qëndroi disa javë në paraburgim në Shqipëri, pasi u vu në pranga, si një prej personave të dyshuar për dhunimin e Medi Isenit, ngjarje e ndodhur në një lokal në Pejë.
Por çfarë ndodhi në Pejë?
Personazhi i njohur i 'Tik-Tok' Medi Iseni akuzoi se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat. Edhe Noizy në një reagim para arrestimit, u shpreh se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe i është bërë padrejtësi. Prokuroria e Pejës po heton çështjen./ZËRI