Aktualitet

3 prioritetet e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi: Mungesa e gjyqtarëve ka sjellë probleme në sistem

Pjesa më problematike e reformës në drejtësi është gjykimi në kohë i çështjes dhe kjo vjen për shkak të numrit të pakët të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit përkatës

E.K
3 prioritetet e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi: Mungesa e
sokol sadushi

TIRANË- Kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, ka bërë një bilanc të punës së institucionit që ai drejton përgjatë vitit 2025, ku renditi një sërë problematikash, që sipas tij kushtëzojnë punën e gjyqësorit. Sadushi tha se ai ka qenë vazhdimisht për sistemin e drejtësisë që nuk po funksionon si duhet, ndërsa tha se në sistem mungojnë të paktën 110 gjyqtarë si pasojë e vakancave.

“Të jemi kritik, pasi pjesa më delikate e reformës është gjykimi i çështjes brenda afateve. Pjesa më e dobët e reformës është administrimi i sistemit”, nënvizoi Sadushi.

Sipas tij, tre kanë qenë prioritetet kryesore të Gjykatës së Lartë:

-Menaxhimi i backlogut (numrit i çështjeve që janë duke pritur për t’u shqyrtuar ose për t’u vendosur) në mënyrë të përgjegjshme

-Konsolidimi i praktikës gjyqësore

-Forcimi i legjitimetit institucional dhe transparencës

Në vitin 2025, Sadushi deklaroi se Gjykata e Lartë ka dhënë 6 876 vendime, prej të cilave 2 506 nga Kolegji Administrativ, 2 395 nga Kolegji Civil, dhe 1 975 nga Kolegji Penal. Për 5 vitet e fundit janë dhënë 39 269 vendime, duke ulur backlogun me 61%, nga 36 150 në 14 081 çështje.

“Deri në vitin 2028, parashikohet të dalin nga Shkolla e Magjistraturës 670 gjyqtarë të rinj”, theksoi ai, duke bërë me dije se përgjatë këtij viti që po lëmë pas, çdo gjykatës ka marrë mesatarisht 429 vendime.

Sadushi veçoi cilësinë e dobët të rekurseve, si një mangësi në gjyqësor.

“Vetëm 40% e rekurseve në Kolegjin Civil, 29% në Kolegjin Administrativ, dhe 18% në Kolegjin Penal janë të pranueshme. Në çështjet administrative, organet publike humbën 55% të rasteve, ndërsa individët 42%. Në çështjet penale, prokuroria humbi 18.4%, ndërsa individët 80.2%“, deklaroi Sadushi.

Një shqetësim që ai ngriti është fakti që ende rekurset nuk bëhen në formatin që kërkon ligji.

“Rekursi është shumë i standardizuar, nuk mund të vijë çdo çështje në Gjykatën e Lartë, nuk mund të kërkohet cdo pretendime në Gjykatën e Lartë. Për fat të keq në rekurset që unë kam përmendur si rekurse të pasuksesshme është kjo arsyeja, që shkaqet që bazojnë rekursin nuk janë në përputhje me standardet që kërkon ligji. Gjykata kur shikon që shkaqet e paraqitura nuk përputhem me ato tre shkaqet ligjore, vendos papranueshmërinë e tij”, tha Sadushi.

Ai u shpreh se rekurset më të pasuksesshme janë ato me palë shteti.

“Administrata publike ka një numër të lartë të çështjeve në raport me individin. Pra rekurset me më shumë mossukses vihen re rekurset me palë shteti”, tha Sadushi.

Poll

MOS HUMB