TIRANË- Qytetarët e Vlorës kanë protestuar sërish sot përpara Bashkisë së qytetit, ku kërkojnë llogari për mungesën e ujit prej disa ditësh. Banorët kanë pasur dhe një telefonatë me kryetaren e Bashkisë Bruna Mersini, e cila sot nuk është e pranishme në zyrë, me pretendimin se ka shkuar të ndjekë nga afër defektin që ka ndodhur në rrjetin e furnizimit me ujë.
“Ti nuk je inxhiniere, nuk je specialiste, nuk ka nevojë që të rrish aty te ujësjellësi, mos mbaj peshën e Belinda Ballukut, po hajde na sqaro këtu”, i tha njëri prej qytetarëve Mersinit, me këtë të fundit që i mbylli telefonin.
View this post on Instagram
Qytetarët kanë hedhur letra higjienike në drejtim të godinës së Bashkisë, ndërsa kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë për problematikën e tyre.
“Na i kanë kthyer shtëpitë në dhoma shurre, ose do vijmë tiua bëjmë shurrën këtu te bashkia”, u shpreh njëri prej protestuesve.
"Vlora ka katër ditë pa ujë, detyrohemi të protestojmë në mënyrën demokratike. U qelbëm. Ka ndodhur dhe situata të tilla më parë, por jo kaq. Qelbet shtëpia. Kryetarja e bashkisë shkon feston, populli është pa ujë”, tha një tjetër protestues.
Ndërsa një qytetar tjetër tha “Shteti s’na përgjigjet, nuk di se ku ka kokën. Jemi qytetarë të ndershëm, ka detyrime shteti? Atëherë pse nuk na përgjigjet?! Jemi qelbur, kemi blerë bidona me ujë. Është hall i madh. S’ka punë politika këtu. Jeta është uji”.
“Duam ujë, ujë. Ujë o ujë. O qeveritarë të poshtër, duam ujë. O maskarenj, o të degjeneruar. Pa ujë nuk ka jetë. O maskarenj që jeni në pushtet. Ka 5 ditë pa ujë. Po zihemi me fëmijët se duan të lahen. I paçi haram ato votat”, shprehen të revoltuar qytetarët.
Qytetarët shprehen se situata në banesat e tyre është alarmante, dhe se kanë shkuar në të afërmit e tyre për t’u larë, për shkak të mungesës së ujit. Shumë prej protestuesve që janë mbledhur sot përpara bashkisë, janë emigrantë që janë kthyer për festat e fundvitit në Vlorë, por janë duke u përballur me një gjendje skandaloze, siç është mungesa e ujit prej pothuajse 5 ditës. /ZËRI