TIRANË- Endri Shabani u zgjodh dje në krye të Avokatit të Popullit, duke marrë 85 vota të socialistëve, të cilët më herët kishin deklaruar se nuk do të mbështesnin asnjë emër me firmat e tyre, dhe do të votonin një prej kandidaturave të propozuara nga opozita. Këta të fundit, nuk ishin në gjendje që të dilnin në një kandidaturë të përbashkët, duke iu dhënë firmat të paktën 6 kandidatëve, që si kusht kërkonin mbështetjen e të paktën 28 deputetëve, për të qenë pjesë e garës.
Pasi kuptuan se me firmat e tyre, po çonin drejt postit të Avokatit të Popullit Endri Shabanin, me vendim të grupit demokratët u tërhoqën nga mbështetja e dhënë në fazën paraprake për kandidatët, por që sipas socialistëve tërheqja nuk kishte më vlerë, dhe procesi do të shkonte përpara, duke kaluar dje në seancë të 6 kandidatët që kishin kaluar filtrin në Komisionin e Ligjeve. Këto manovra të opozitës, që fillimisht kishin dhënë firmat për Shabanin, dhe më pas e etiketuan atë si ‘lepur të Surrelit’, është pritur me mjaft kritika në rrjetet sociale dhe jo vetëm.
Shkrimtari Agron Tufa ka kritikuar ashpër qëndrimin e opozitës, veçanërisht të disa prej deputetëve që vijnë pikërisht nga shtresa e të përndjekurve politikë, siç është rasti i Tomor Alizotit. Tufa shkruan se ka ardhur koha që të mbyllen ‘qepenat’ e opozitarizmit, pasi për të mundur Edi Ramën, duhet më së pakti sinqeritet dhe dinjitet.
Statusi i Tufës
Edhe ti, o Alizot?
Tani nuk kemi më iluzione… të paktën politike. S’ka gjë se na kanë përdorur për llosha. Por, qëkur thashë: “Mbyllni qepenat e opozitarizmit!”, këtë marrëdhënie flligështie kisha parasysh, si me listat për Avokatin e Popullit. I sheh emrat dhe firmat dhe s’të besohet. I sheh prapë – dhe një horizont i larmishëm sharjesh të vjen në gojë. I sheh për herë të tretë dhe… e dini vetë.
U tha e u përfol se opozita do të propozonte një kandidat nga shtresa e ish-të përndjekurve. Por jo, jo… Janë të thella këto punë në këtë tokë të lashtë. Veçse firma e z. Tomorr Alizoti, ma shpifi krejt, për Zotin. Zot, o Zot, edhe ti o Alizot? Atëherë… varja, varja…
Ngushëllim që nuk e pashë aty firmën e Agron Shehajt.
Po si vallë, me këto flligështi do ta mundni Ramën!?
Ja pse nuk e mundni: ju mungon një gjë shumë e madhe, që ju nuk e përfillni dhe mbase nuk e keni si të dhënë ndërndijore dhe prag vetëdije: sinqeriteti dhe dinjiteti. Dhe tash u bë një dekadë e gjysmë, që po vuani borxhin e hipokrizisë së gjatë. E djathta, me ç’duket, ju duket djathë, por ju po hani sapun, zotërinj….
P.S: Është i parashikuar me atë horizontin e larmishëm të sharjeve kushdo që guxon ta çojë, qoftë dhe nëpër mend, atë fjalën e dalëboje “opozitë e opozitës”.
DEPUTETËT E PD QË I DHANË FIRMËN SHABANIT
Ina Zhupa
Agron Gjekmarkaj
Fidel Kreka
Tritan Shehu
Klevis Balliu
Manjola Luku
Xhelal Mëziu
Ledina Alolli
Klit Hoti
Kastriot Piroli
Ema Bozdo
Saimir Korreshi
Luan Baçi
Bujar Leskaj
Oerd Bylykbashi
Bledion Nallbati
Jorida Tabaku
Bardh Spahia
Tomorr Alizoti
Arian Ndoja
Besart Xhaferri
Igli Cara
Greta Bardeli
Elda Hoti
Eno Bozdo
Klodjana Copja
Flamur Hoxha
Agron Shehaj
Erald Kapri
Artan Luku
Shabani u zgjodh me 85 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim me votim të fshehtë, ndërsa opozita zgjodhi të braktisë procesin e votimit. Në momentin e votimit të tij ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit edhe kryeministri Rama, i cili mungoi gjatë gjithë pjesës tjetër të seancës. Shabani do të ushtrojë mandatin e tij 5-vjeçar, duke zëvendësuar në këtë post, Erinda Ballancën, e cila e drejtoi institucionin tre vite përtej përfundimit zyrtar të mandatit./ZËRI