TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg gazetarin Elio Laze, i cili i kishte vënë gjobë prej 40 mijë eurosh një zyrtari, për t'i fshirë një lajm këtij të fundit nga portali të cilin ai drejton, Priza.al. Burime nga seanca për ZËRI bëjnë me dije se Laze ka pretenduar se është aktivitet i ligjshëm.
Sipas gazetarit, është një shërbim i ligjshëm i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), siç paguhet për të bërë shkrime, paguhet edhe për t'i hequr. Gazetari është shprehur se në rastin konkret të zyrtarit në fjalë, ky i fundit i ka lënë një zarf, por Laze pretendon se nuk e dinte çfarë kishte brenda.
“Lekët paguheshin në bankë me kontratë mes palëve. Ne rastin konkret më ka lënë një zarf nuk e di ca kishte brenda”, ka dëshmuar ai.
Gazetari Elio Laze është arrestuar pak ditë më parë për gjobëvie ndaj një zyrtar të Institutit të Shëndetit Publik, Klaus Shaqiri. Ky i fundit mësohet se ka bërë kallëzimin edhe pranë bluve të Tiranës duke çuar në pranga gazetarin. Sipas Policisë, 37-vjeçari u kap në zyrën e subjektit të tij në Tiranë, menjëherë pasi kishte marrë shumën e parave nga i dëmtuari. Gjatë operacionit u sekuestruan 5000 euro dhe 4 telefona celularë. Nga hetimet e kryera nga përmes veprimeve proaktive nga prokuroria e Tiranës të drejtuara nga prokurori Asllan Bajramaj, u bë e mundur arrestimi i Lazes, cili akuzohet për “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”./ZËRI
