TIRANË-Në vijim të procesit gjyqësor për dosjen e njohur si “Metamorfoza”, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar thirrjen e 40 dëshmitarëve për t’u pyetur për vrasjen e Gjin Boriçit në gusht 2020 si dhe për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes ndaj Kleanth Musabelliut.
Në këtë proces po gjykohen biznesmeni Pëllumb Gjoka, si dhe Behar Bajri dhe Edmond Preka. Seanca u shoqërua me debate mes mbrojtjes dhe përfaqësuesve të SPAK. Diskutimet u përqendruan te përputhshmëria e orareve të komunikimeve të siguruara nga platforma SKY ECC me kohën e regjistruar të vrasjes së Gjin Ndojit. Nga ana tjetër, avokati Gurali Brahimllari, mbrojtës i Pëllumb Gjokës, pretendoi se bëhet fjalë për manipulim të provave.
Atentati ndaj Kleanth Musabelliut
Për planin e vrasjes së Kleanth Musabelliut, Pëllumb Gjoka bisedon me Behar Bajrin dhe Ervis Martinajn, por nuk e "ndihmuan" dot pasi nuk gjetën dot vrarës për të kryer atentatin. Vrasja do të bëhej me "shkëmbim", ku Behar Bajri do kryente vrasjen e Gjin Boriçit (e cila ndodhi) për llogari të Gjokës dhe Martinajt, ndërsa si shkëmbim do të merrnin vrasjen e Kleant Musabelliut për llogari të Pëllumb Gjokës. Musabelliu u ndoq për 5 muaj, nga qershori në tetor të vitit 2020 nga Klaudor Haka. Musabelliu në vitin 2017 e kishte plagosur në këmbë Pëllumb Gjokën, si pasojë e një konflikti për një debat të nisur mes fëmijëve të tyre në shkollë.
Plani për vrasjen e Gjin Ndojit
Në orën 20:52, Behar Brajoviq komunikon me Denis Brajoviq dhe Denisi i tregon se do marrë dikë. Në orën 00:02 të datës 9 gusht 2020, Behar Brajoviq ka komunikuar me Edmond Prekën për të organizuar ikjen nga vendi ku do kryhej vrasja. Behari i ka kërkuar Edmondit ta presë në orën 3 të mëngjesit tek rruga ku lidhet Velipoja në Torovicë, pasi do kryej vrasjen dhe do shkoj në këmbë deri tek ura.
Edmondi i ka treguar se do dërgonte dikë tjetër pasi vetë ndodhej në Korçë dhe i tregon se për të shkuar deri në pikën ku kërkonte Behari duhej fuoristradë dhe nuk kalon makina e vogël por ka edhe një rrugë tjetër nga Trushi. Edmondi ka dërguar një lidhje të tij në biseda e thërrasin "Zeqo" i cili ka patur detyrë të marrë personat që kanë kryer vrasjen e Gjin Ndojit dhe t'i strehojë. Denis Brajoviç, në dijeni të planit për vrasjen e Gjin Ndojit, në orën 00:27 ka komunikuar me Ervis Martinaj dhe i ka thënë që nuk do kishte telefon me vete dhe se do dilte në këtë orë dhe Ervisi të priste njoftimin në televizion për vrasjen e Gjin Ndojit. Pas kësaj Denis Brajoviç rreth orës 01:00 të 9 gusht 2020, ka shkuar për te Behar Brajoviq të cilin e ka njoftuar në SkyECC se po shkonte për tek ai.
Behari në 01:33, i ka shkruar Edmond Prekës dhe e ka vënë në dijeni se për 40 minuta kryen punë, ku Edmondi i shkruan: "...ishalla, don zoti i madh..." dhe njëkohësisht lajmërimi i Behar Brajoviq ka qenë që Edmondi të rakordoj me "Zeqon" për të qenë në pikë takim.
Rreth orës 02:00 Denis Brajoviç njofton Behar Brajoviç se Gjin Ndojin e kanë përpara me makinë dhe menjëherë Behari i ka shkruar Edmond Prekës se për 10 minuta kryen vrasjen dhe mos të fle gjumë pasi duhet të njoftonte “Zeqon”.
Denis Brajoviç në 02:02 ka njoftuar Behar Brajoviq se ka vrarë Gjin Ndojin duke i dërguar mesazhet: "...kryvi, jemi në Bushat dhe të na presi aty ai, se jemi afër..." dhe më pas Behari ka komunikuar me Edmondin duke e vënë në dijeni që Gjin Ndoji u vra dhe ti thotë "Zeqos" të jetë gati dhe se Denis Brajoviq dhe personi tjetër i paidentifikuar janë në Bushat, pranë Urës. Në 02:25, Denis Brajoviç dhe bashkëpunëtori i paidentifikuar janë takuar me "Zeqon" më pas siç del edhe nga komunikimet SkyEÇ ku tregon që u takuan.
Behar Brajoviq në orën 02:24 ka njoftuar Pëllumb Gjokën se Gjin Ndoj u vra dhe se tani pret që Ervis Martinaj të kryej vrasjen e Kleant Musabelli, duke dërguar mesazhin:"...u kry, tani presim atë tëndin, atë që deshti ai u kry, Gjinin deshti ai..." dhe Pëllumbi ja ka kthyer: "......ok vëlla, kjoft me zotin, futja gjumit..."
Denis Brajoviq në orën 02:43 i shkruan Behar Brajoviq dhe i tregon se ku e ka qelluar Gjin Ndojin duke dërguar mesazh: "...Gjoks e kry kapedan, mu blloku se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka...".