VLORË-Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar këtë të shtunë, 7 mars, shtatë urdhër-arreste në kuadër të hetimeve për krime të rënda. Operacioni është zhvilluar në qytetin e Vlorës, ku forcat speciale RENEA dhe FNSH kanë zbarkuar që në orët e para të mëngjesit në zonën e “Ujit të Ftohtë”. Sipas raportimeve aksioni dyshohet se lidhet me zbardhjen e vrasjes së Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur më 6 shkurt 2021 në Vlorë.
Atentati ndaj 40-vjeçarit ndodhi në lagjen “29 Nëntori”, pranë bibliotekës së qytetit. Qarri u qëllua me kallashnikov nga një automjet në lëvizje. Ndaj tij është qëlluar me 20 plumba 6 prej të cilëve në trup. Ai mbeti fillimisht i plagosur dhe u transportua drejt spitalit, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Në vendngjarje u gjetën të paktën 11 gëzhoja, ndërsa viktima kishte marrë plagë në kraharor dhe në këmbë.
Pas ngjarjes, autoritetet zbuluan një automjet tip "Toyota" me targa greke të djegur në zonën e Pyllit të Sodës, që dyshohej se ishte përdorur nga autorët. Brenda automjetit u gjet edhe një armë automatike kallashnikov. Gentian Qarri kishte qenë më herët i dënuar në Itali me 15 vite burg për trafik droge. Ai ishte kthyer në Shqipëri rreth tri vite para se të vritej dhe, sipas raportimeve, punonte në fushën e montimit dhe riparimit të kondicionerëve.
Mes personave të dyshuar për përfshirje në këtë krim janë edhe disa emra të njohur të botës së krimit, ku SPAK ka lëshuar urdhë-arrest për Flodian Plakun, i njohur me nofkën “Pole Qorri”, Ervis Matodoshaj dhe Inez Hajrullën.
Plaku konsiderohet si një nga figurat kryesore të trafikut të drogës nga Vlora drejt Italisë. Ai u arrestua në Orikum më 3 gusht të vitit të kaluar, i dyshuar edhe si një nga tre atentatorët e Gentjan Bejtjes, i cili u ekzekutua në mars të vitit 2024 në Larushk të Fushë-Krujës. Gjatë operacionit për arrestimin e tij SPAK ka sekuestruar disa celularë përmes së cilave ka bërë të mundur zbërthimin e disa bisedave që kanë çuar në zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale.
Ndërkohë Inez Hajrulla ka qenë objektiv i dy atentateve në qytetin e Vlorës. Njëri ndodhi në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët, ndërsa tjetri ndodhi me 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal. Hajrulla është person i marrë në hetim për zhdukjen e Elvis Troqes në Vlorë, në korrik 2017. Përfshirja e tij në këtë çështje erdhi pasi një nga dëshmitarët, që është personi i fundit që ka takuar 25-vjeçarin Troqe, ka deklaruar për hetuesit se Elvisi ishte larguar nga lokali ku po qëndronin, duke i thënë se do të takonte një shok me emrin Ini, që dyshohet se i referohet pikërisht Inez Hajrullës, pasi në Vlorë njihet si “Ini i Çones”. Ai njihet për përplasjen e fortë me grupin Simomati.
Ndërkohë, pritet që SPAK-u të dalë me një njoftim zyrtar për detajet e operacionit dhe rezultatet e tij./ZËRI