TIRANË- Vazhdon edhe sot aksioni për shuarjen e flakëve në vendin tonë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, edhe sot po vijon ndërhyrja nga ajri në Delvinë dhe në Gramsh. Ndërkohë që janë identifikuar edhe disa vatra të tjera zjarri në 6 lokacione të ndryshme nëpër Shqipëri.
NJOFTIMI I MINISTRISË:
Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pandalim gjatë gjithë orëve të natës për të kufizuar perimetrin e flakëve në afërsi të zonave të banuara dhe parqet kombëtare në mbarë Shqipërinë. Tre helikopterë po operojnë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë, ndërsa qindra efektivë të emergjencave lokale dhe të Forcave të Armatosura po punojnë pa u ndalur në zonat më të nxehta: Fushë Arrëz, Gramsh, Tepelenë, Dropull, Delvinë dhe Finiq./ZËRI