Aktualitet

67 ditë protestë! Qytetarët mbushin sërish rrugët e Tiranës

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kërkojnë plotësimin e 5 kërkesave të tyre

M.K.
67 ditë protestë! Qytetarët mbushin sërish rrugët e
foto nga protesta

TIRANË- Protesta për ndërtimet në Zvërnec dhe pakënaqësitë politike ka hyrë në ditën e 67-të radhazi. Tubimet, të cilat nisën më 31 maj pas ngjarjeve të ndodhura në Zvërnec, vijojnë çdo mbrëmje në kryeqytet.

Edhe këtë të mërkurë, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin "Skënderbej", për të marshuar më pas përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" drejt godinës së Kryeministrisë.

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kërkojnë plotësimin e 5 kërkesave të tyre, ndërsa përpara godinës së Kryeministrisë do të mbahen fjalime nga qytetarë të ndryshëm. Protesta e kësaj mbrëmjeje pritet të përmbyllet me një marshim në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.

Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI

Poll

MOS HUMB