TIRANË-Një debat i gjerë publik është hapur pas miratimit të Rregullores së re të Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës” nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO). Rregullorja do të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026 dhe synon të krijojë një kuadër të plotë për administrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe solemnitetit, si dhe rregullave të sjelljes në ambientet e Gjykatës.
Në rregulloren e re, të hartuar nën drejtimin e kryetarit në detyrë të GJKKO-së, Erion Bani, vendosen një sërë kufizimesh për mediat dhe avokatët. Rregullat janë kundërshtuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), të cilat kanë ngritur shqetësim për lirinë e medias.
Por çfarë parashikon rregullorja e re (KUFIZIMET)
Në draftin e miratuar më 17 korrik, përcaktohen rregulla të reja për praninë dhe raportimin e medias gjatë seancave gjyqësore. Konkretisht, kufizohet numri i përfaqësuesve të mediave që mund të ndjekin një seancë gjyqësore, hiqet praktika e deritanishme që lejonte filmimin e minutave të para të seancave, ndalohet filmimi në korridoret e gjykatës dhe gazetarët do të duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore. Gjithashtu, do të rishikohen të gjitha autorizimet dhe lejet ekzistuese të akreditimit vjetor.
Në Nenin 78 në pikën 2 dhe 3 thuhet se:Paraqitja e një kërkese për regjistrimin, fotografimin ose transmetimin e një seance gjyqësore nga përfaqësuesit e medias nuk krijon të drejtën e hyrjes paraprake të ekipeve filmike në sallën e gjykimit apo për përdorimin e pajisjeve audiovizive. Ekipet filmike nuk lejohen të hyjnë në sallën e gjykimit me kamera ose pajisje të tjera regjistrimi deri në momentin kur trupi gjykues shprehet mbi kërkesën për regjistrimin ose transmetimin e seancës.
Lidhur me këtë kufizim në rregulloren e re Gjykata shprehet se mund të realizojë vetë regjistrimin audioviziv të seancave gjyqësore publike nëpërmjet sistemeve dhe pajisjeve të saj zyrtare, kur kjo vlerësohet e nevojshme. Konkretisht në Nenin 79 përcaktohet: Trupi gjykues mund të vendosë që medias t’i vihen në dispozicion:
a) regjistrimi i plotë i pjesës së autorizuar të seancës;
b) sinjali audioviziv i prodhuar nga Gjykata gjatë zhvillimit të seancës;
c) pjesë të përzgjedhura të regjistrimit audioviziv të seancës;
ç) regjistrimi i shpalljes së vendimit ose i pjesëve të tjera të seancës që vlerësohen me interes publik;
d) vetëm sinjali audio.


Rregullorja parashikon gjithashtu ndalimin e mbajtjes dhe përdorimit të telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit, ku kufizime të ngjashme do të zbatohen edhe për avokatët në lidhje me përdorimin e mjeteve teknologjike gjatë seancave. Megjithatë në rregullore thuhet se: Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore.
"Për garantimin e sigurisë, rendit, solemnitetit të seancës gjyqësore dhe administrimit të rregullt të drejtësisë, si dhe për mbrojtjen e procesit të rregullt ligjor, të drejtave të palëve, konfidencialitetit të komunikimeve dhe mbrojtjes së të dhënave personale gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, ndalohet mbajtja dhe përdorimi i telefonave celularë,"-thuhet në dokument.
Këto rregulla të parashikuara janë kundërshtuar edhe nga kreu i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, profesor doktor Maksim Haxhia, i cili gjatë një interviste për Report.Tv ka propozuar bojkot, ndërsa u shpreh se "Telefoni është mjet pune, është një studio ligjore lëvizëse për një avokat".
Rregullorja e re vjen në një kohë kur figura të politikës shqiptare, ndodhur në qeli apo në arrati, çështjet e të cilëve po shqyrtohen në seancat në Gjykatën e Posaçme, kërkojnë seanca 'live'.
Kërkesa që proceset gjyqësore të transmetohen live, prej muajit prill deri tani është rrëzuar nga gjyqtarët e Gjykatave, me përjashtim të minutave të para kur të pandehurit hyjnë në sallat e gjyqit. E teksa parimi 'drejtësi e hapur' për publikun diskutohet prej muajsh, mbetet për t'u parë se si do të informohet publiku mbi ecurinë e një procesi me me rregullat e parashikuara./ZËRI

