TIRANË-Gjykata Kushtetuese do të dalë sot me një vendim në lidhje me ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. Kryetarja e Gjykatës Holta Zaçaj do të ketë një komunikim me gazetarët në lidhje me vendimmarrjen e çështjes me kërkues Erion Veliaj, rreth orës 17:00.
Njoftimi:
Ju njoftoj se sot, ora 17:00, Kryetarja e Gjykatës znj. Holta Zaçaj do të ketë një komunikim me gazetarët në lidhje me vendimmarrjen e çështjes me kërkues Erion Veliaj me objekt “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese”.
Në seancën Më 31 tetor, ku u shqyrtua ankimimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës dhe kërkesa për shfuqizimin e dekretit të Presidentit Begaj, kryebashkiaku i arrestuar u ballafaqua me qeverinë dhe me presidencën.
SKENARËT
1. Rrëzimi i kërkesës së Erion Veliajt, çka do të hapte rrugën për zgjedhje të pjesshme në Tiranë;
2. Pranimi i plotë i kërkesës, që do ta rikthente Veliajn në detyrë dhe do të anulonte zgjedhjet;
3. Pranimi i pjesshëm, por opsioni i tretë, është gati i pamundur, pasi dy kërkesat e Veliajt janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Nëse pranohet plotësisht pretendimi i kryetarit të shkarkuar, Veliaj do të rikthehet në detyrë edhe pse me pranga dhe zgjedhjet do të anulohen. Nga ana tjetër, nëse gjyqtarët vendosin me shumicë votash apo njëzëri të rrëzojnë kërkesën e Erion Veliajt, në Tiranë do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.
Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Me firmën e presidentit Bajram Begaj më 1 tetor u vendos që zgjedhjet e pjesshme vendore të mbahen më 9 nëntor. Por kryebashkiaku i shkarkuar, Erion Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetutese vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij. Vetë Kushtetuta sakëson se kur vendimi për shkarkim ankimohet në Gjykatën Kushtetutese, vendimi për shkarkim pezullohet.
Rreth një javë më vonë, 'situata' u kthye përmbys me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi drekretin e Presidentit, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 Nëntorit. Në arsyetimin e vendimit, Kushtetuesja shpjegoi se nëse dekreti i Begajt për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë do të qëndronte në fuqi, do të sillte pasoja të pariparueshme në adresë të Erion Veliajt, teksa vendimi për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse./ZËRI

