TIRANË- 8 kandidatë në garë, do të pyeten gjatë ditës së sotme në Ministrinë e Brendshme, ndërsa kanë aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, në vijim të thirrjes zyrtare për aplikim, pas dorëheqjes së Ermal Onuzit.
Intervistimi i 8 kandidatëve në garë do të bëhet sipas rendit alfabetik, Arian Sopiqoti, Denis Deliu, Faik Basha, Ilirjan Hasanaj, Liman Hoxha, Simon Zereci, Vasil Çuni dhe Zaje Osma.
Denis Deliu ka qenë deputet në radhët e Partisë Socialiste, dhe pjesë e Gardës për shumë vite, ndërkohë që Faik Basha ka qenë këshilltar për sigurinë në Partinë e Lirisë, gjatë kohës që drejtohej nga ish-presidenti Ilir Meta. Ndërkohë Simon Zereci, është aktualisht në drejtimin e Gardës si i komanduar, pasi mbante më herët postin e zv.drejtorit.
Intervistimi i kandidatëve po bëhet përpara një komisioni vlerësimi, i përbërë nga zv/ministri i Brendshëm, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Gjatë seancës dëgjimore, kandidatët do të prezantojnë platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e Gardës së Republikës.
Anëtarët e Komisionit do t’u drejtojnë pyetje kandidatëve, në përputhje me kriteret e vlerësimit të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Brendshëm. /ZËRI