BRITANI E MADHE-Një 28-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi u gjet i plagosur rëndë në një rrugë në qytetin e Leicesterit, në Britaninë e Madhe. Viktima është identifikuar nga policia si Ervin Lita, i njohur gjithashtu me emrin Ervin Axhami.
Sipas autoriteteve britanike, shërbimi i ambulancës East Midlands Ambulance Service njoftoi policinë rreth orës 06:58 të mëngjesit të së dielës, pasi e gjeti të riun të shtrirë me plagë të rënda në Compton Road. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të emergjencës, 28-vjeçari u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes.
Lidhur me rastin deri tani janë arrestuar dy persona, të moshave 36 dhe 27 vjeç, nën dyshimin për vrasje. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të ditur se të dy janë liruar me kusht, ndërsa hetimet vijojnë. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë, po kryejnë ekspertiza dhe po marrin në pyetje dëshmitarë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.