TIRANË- Pas kontrolleve të zhvilluara më 2 tetor nga ku u sekuestruan telefona dhe dokumunte, detaje të tjera po dalin në dritë. Teksa SPAK po heton dyshimet për trafikim armësh, shpërdorim detyre dhe favorizim në gara publike, detaje të reja po zbulojnë prapaskenat se si fondet e destinuara për mbrojtjen dhe pajisjet ushtarake kanë përfunduar në investime luksoze private.
Sipas dokumenteve zyrtare (Vendimi Nr. 3, datë 23.03.2026 i Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të "TIMAK" SH.P.K.), Arjeta Puca dhe Rony Yeffet kanë përdorur kapitalin e shoqërisë për të themeluar një biznes të ri privat me emrin "TIMAK HORSE CLUB" SH.P.K.
Bëhet fjalë për një biznes të kuajve dhe hipizmit me seli në "Equos Resort", pronë e Ergys Agasit, ndërsa biznesi rezulton të jetë hapur gjatë kohës që biznesmeni ishte në arrati dhe kërkohej nga SPAK. Pikërisht, për këtë arsye, "Equos Resort" është sekuestruar nga SPAK në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t.
Ky zbulim nxjerr në pah një skemë të ngjashme të tjetërsimit të parave publike, me atë të AKSHI-t, ku u provua se përfunduan në çokollata, biskota, kështjella, avionë luksozë e jahte. Ndërkohë, paratë e destinuara për sigurinë kombëtare dhe ushtrinë rezultojnë të kenë kaluar te hipizmi.



Më 2 tetor, agjentë të SPAK-ut dhe BKH-së ushtruan dje kontrolle në banesa, kompani dhe zyra, ndërsa tashmë në duart e hetuesve të SPAK-ut ndodhen telefona, kontrata dhe dokumente të lidhura me kompaninë shtetërore KAYO. Biznesmeni amerikano-izraelit Ron Yeffet është në qendër të hetimit, në kuadër të denoncimve të bëra pak javë më parë nga ish zv/kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, i cili aludonte për trafik armësh dhe afere të tjera të biznesmenit me kompaninë publike KAYO.
Me vendim të GJKKO-së, hetuesit zbarkuan në vilën luksoze të Ron Yeffet në periferi të Tiranës, të cili i është sekuestruar telefoni. Gjithashtu u kontrollua edhe banesa e Ardi Veliut, administratorit të KAYO, por ky i fundit mësohet se nuk është gjetur aty, ndërsa telefoni i është sekuestruar në zyrën e tij të punës.
Hetuesit kanë kontrolluar gjithashtu banesën e Arjeta Pucës, pronare e kompanisë TIMAK. Aksioni është shtrirë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku mësohet se janë sekuestruar disa kontrata dhe dokumente, të cilat tashmë janë në dispozicion të hetuesve të SPAK. Gjithashtu, është sekuestruar edhe telefoni i Aleks Markut, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Hetimet po zhvillohen pas përgjimeve të publikuara nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, për trafik armësh përmes "KAYO". Ahmetaj ngriti një sërë akuzash, mes tyre për një skemë të trafikut ndërkombëtar të armëve, ku përfshihet Shqipëria. Në qendër të denoncimeve të Ahmetajt ishte biznesmeni amerikano-izraelit Ron Yeffet dhe kompania "KAYO", ku, sipas përgjimeve të publikuara nga ish.zv.kryeministri, në biseda diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen garat dhe procedurat e tenderimit përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri./ZËRI