Aktualitet

AGSH reagon pas incidenteve në protestën para Kuvendit: Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme

AGSH dënon çdo akt dhune apo intimidimi ndaj gazetarëve, duke nënvizuar se sulmet ndaj medias cenojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e publikut për t'u informuar.

M.K.
AGSH reagon pas incidenteve në protestën para Kuvendit: Dhuna ndaj
Protesta para Kuvendit

TIRANË-Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit, ku disa gazetarë dhe operatorë u përballën me situata që vunë në rrezik ushtrimin e detyrës së tyre.
Sipas AGSH-së, gjatë mbulimit të protestës janë raportuar raste të përdorimit të forcës ndaj punonjësve të medias, si nga efektivë të Policisë së Shtetit, ashtu edhe nga protestues. 

AGSH dënon çdo akt dhune apo intimidimi ndaj gazetarëve, duke nënvizuar se sulmet ndaj medias cenojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e publikut për t'u informuar. 

Reagimi:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka marrë raportime të shumta nga gazetarë, operatorë dhe fotografë të cilët janë sulmuar dhunshëm nga ana e Policisë së Shtetit gjatë ditës së sotme në protestat në Tiranë.
Shumë raste janë dokumentuar me pamje filmike, ndërsa raportime të tjera kanë ardhur edhe për protestues të cilët kanë sulmuar gazetarë dhe ekipe mediatike gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

AGSH dënon me forcë çdo akt dhune ndaj gazetarëve, pavarësisht se nga kush kryhet. Sulmet ndaj punonjësve të medias përbëjnë një cenim të rëndë të lirisë së medias, të drejtës së publikut për t'u informuar dhe standardeve demokratike.
Gazetarët, operatorët dhe fotoreporterët nuk janë palë në protestë. Ata janë në terren për të dokumentuar ngjarjet dhe për të informuar publikun. Për këtë arsye, siguria e tyre duhet të garantohet në çdo moment, si nga autoritetet shtetërore ashtu edhe nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në protesta.

AGSH i bën thirrje Agjencisë së Mbikqyrjes Policore të hetojë menjëherë përdorimin e pajustifikuar të forcës ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike dhe të mbajë përgjegjës çdo punonjës policie që ka ushtruar dhunë apo ka penguar ushtrimin e veprimtarisë së punonjësve të medias. Njëkohësisht, AGSH u bën thirrje protestuesve të respektojnë punën e gazetarëve dhe të shmangin çdo formë intimidimi, kërcënimi apo sulmi ndaj ekipeve mediatike.

Reagimi vjen pas protestës së ditws sw sotme para Kuvendit, ku qytetarët protestuan kundër qeverisë, duke hedhur vezë në drejtim të deputetëve dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe anulimin e vendimeve që, sipas tyre, dëmtojnë zonat e mbrojtura.

Poll

MOS HUMB