GREQI- Detaje të reja janë zbuluar rreth vrasjes së 36-vjeçares shqiptare Marjeta Nakoleci, e cila u vra mbrëmjen e djeshme në Volos të Greqisë nga bashkëshorti Panteli Nakoleci.
Mediat greke shprehen se çifti kishte katër fëmijë, tre vajza të moshës 18, 16 dhe 6 vjeç dhe një djalë 13 vjeç, të cilët ishin dëshmitarë të krimit.
Policia u informua për krimin kur njëri prej fëmijëve të çiftit telefonoi policinë për të kërkuar ndihmë, duke u thënë oficerëve se babai e kishte therur nënën me gjakftohtësi në hyrje të ndërtesës së apartamenteve. Mediat shprehen se kur policia mbërriti në vendngjarje, e gjeti viktimën në tokë, ndërsa dy vajzat e saj, 16 dhe 6 vjeç, dhe djali i saj 13-vjeçar qëndronin pranë saj.
Fëmijët i thanë policisë se prindërit e tyre kishin debatuar intensivisht që nga mëngjesi dhe se kur nëna e tyre u përpoq të dilte nga shtëpia, burri mori një mjet të mprehtë, e ndoqi deri në hyrje të pallatit dhe e plagosi për vdekje.
Duke folur për mediat lokale, vajza e madhe e çiftit tha se autori i krimit ishte xheloz për gruan e tij dhe ajo i kishte kërkuar të largohej përkohësisht nga shtëpia. 40-vjeçari aktualisht ende nuk është japur nga policia greke. Sipas informacioneve, burri kishte tentuar vetëvrasje në fund të qershorit dhe ishte shtruar në klinikën psikiatrike të Spitalit të Përgjithshëm të Volosit. Ai ishte akuzuar më parë për raste droge./ZËRI