DURRËS- Një tjetër aksident tragjik me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm, në autostradën Durrës-Tiranë, ku janë përfshirë 5 automjete.
Sipas njoftimit të Policisë, përplasja nisi fillimisht mes 45-vjeçarit Hysen Balla dhe një kamioni, aksident që i mori jetën drejtuesit të automjetit. Më pas, në përplasjen zinxhir janë përfshirë edhe automjete të tjera që lëviznin në këtë aks. Ndërkohë, një grua që dyshohet se drejtonte një prej automjeteve është larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes, por më pas është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 05:20, në autostradën Durrës-Tiranë, janë përfshirë në një aksident rrugor 5 automjete.
Shtetasi H. B., 45 vjeç, është përplasur me një kamion dhe, si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje.
Më pas, në aksident janë përfshirë edhe tre mjete të tjera, me drejtues shtetasit G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, si dhe 5 pasagjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa shtetasja A. V., e cila dyshohet se ka qenë drejtuese e njërit prej automjeteve të përfshira në aksident, është larguar nga vendngjarja dhe është shoqëruar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.