ITALI- Gazeta italiane Corriere della Sera shkruan se vdekja e sipërmarrësit italian Edoardo Sarchi në Shqipëri mbetet ende një enigmë. Hetuesit po shqyrtojnë disa skenarë: një aksident gjatë gjuetisë, një konflikt që ka degjeneruar në dhunë, apo edhe një ekzekutim i paramenduar.
Ngjarja ndodhi mesnatën e së premtes në fshatin Salari të Tepelenës, rreth 200 kilometra nga Tirana. Viktima, 44-vjeç, me origjinë nga Varese, drejtonte kompaninë Tegola Edilcentro, e specializuar në prodhimin dhe eksportin e materialeve të ndërtimit. Ai ishte i martuar dhe i njohur për pasionin e tij për gjuetinë.
Sarchi po udhëtonte me familjen Braçe, Eqerem dhe djemtë e tij, Gazmend e Daniel me të cilët kishte lidhje biznesi. Pas një darke në shtëpinë e tyre, grupi doli për gjueti me dy automjete, një Volkswagen dhe një Land Rover Defender. Pikërisht gjatë këtij udhëtimi ndodhi tragjedia.
Gjurmë gjaku u gjetën mbi makinë dhe në asfalt, por jo brenda automjeteve, duke ngritur dyshime se biznesmeni mund të jetë nxjerrë jashtë dhe më pas qëlluar. Raportohet gjithashtu për goma të Land Rover-it të shfryra, pa u sqaruar nëse kjo ishte aksidentale apo e qëllimshme.
Dëshmitë e familjes Braçe paraqiten kontradiktore: njëri prej tyre ka deklaruar se grupi u sulmua papritur nga persona të panjohur, ndërsa një tjetër ka thënë se Sarchi vdiq në duart e tyre. Këto mospërputhje, sipas Corriere, kanë rritur dyshimet se pas ngjarjes mund të fshihet edhe një konflikt biznesi.
Ambasada italiane në Tiranë po ndjek nga afër zhvillimet dhe ka vënë në dijeni familjen e viktimës në Itali, përfshirë motrën dhe kushërinjtë e tij, të cilët janë të angazhuar në të njëjtin biznes familjar.
Sarchi kishte lidhje të forta me Shqipërinë përmes aktivitetit të kompanisë Edilcentro, të themeluar nga xhaxhai i tij Augusto Nidoli. Familja e tij është e njohur edhe në Itali: babai i viktimës, Vittorio Sarchi, ishte një figurë politike e njohur në Varese deri në vdekjen e tij në vitin 2022.
Kushëriri i tij, Riccardo Barbieri, i cili zotëron një B&B në zonë, tha për mediat italiane: “Edoardo ishte një njeri i mirë dhe i përkushtuar në punë. Për këtë më foli edhe herën e fundit që u pamë, në funeralin e të atit.”
Hetimet në Shqipëri vazhdojnë, ndërsa pistat e hetimit mbeten të hapura, nga një aksident gjatë gjuetisë, te një konflikt i dhunshëm apo një vrasje e mirëorganizuar./ZËRI