VLORË-Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i SPAK, ku u lëshuan 7 urdhër arreste. Prokuroria e Posaçme përpos vrasjes së Gentian Qarrit ka zbardhur edhe vrasjen e Bledar Birçajt në Vlorë në 2021. Mes të arrestuarve, janë dy efektiç, Rezat Kuçi edhe një ish-polic në Zvicër, Hams Demushi.
Vrasja e Bledar Burçajt
Bledar Birçaj u vra më 11 Maj 2021 në një atentat të mirëorganizuar në automjetin e tij “BMW” X5 në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit. Në drejtim të automjetit është qëlluar mbi 10 herë. Vrasja e Bledar Birçaj ka mbetur ende pa autor, ndërsa pista kryesore e hetimit atëherë u tha se ishin konfliktet e mundshme të tij në Spanjë, prej nga ishte kthyer një muaj para se të ekzekutohej.
Emri i tij nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2011 është arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Birçaj sakaq rezulton edhe pronar i një biznesi në Vlorë. Një tjetër ngjarje ku ka qenë subjekt institucioneve ligjzbatuese është ajo e vitit 2010, kur Birçaj së bashku me vëllanë e tij kanë dhunuar juristin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, personin me inicialet F. H. Për këtë në atë kohë prokuroria nisi procedim penal në gjendje të lirë për dy të rinjtë.
Operacioni i SPAK u zhvillua në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Ujit të Ftohtë. Në kuadër të operacionit janë lëshuar 7 urdhërarreste, ndërsa janë ushtruar dhe kontrolle në banesën e Ines Hajrullës. Ky i fundit bashkë me shokun e tij Ervis Matodashaj i shpëtuan operacionit pasi nuk ndodheshin në banesë. Deri më tani ende nuk ka një njoftim zyrtar në lidhje me operacionin./ZËRI