ITALI- Pas aksionit të zhvilluar një ditë më parë nga SPAK dhe Antimafia e Barit, ku u ekzekutuan 15 masa siguri, mediat fqinje kanë zbardhur detaje të reja lidhur me vrasjen e Francesco Diviesti-t, ngjarje e cila çoi dhe në goditjen e grupit kriminal.
Francesco Diviesti u vra një vit më parë dhe trupi i tij u dogj në një zonë të izoluar të Alta Murgia-s në Itali. Midis personave nën hetim janë tre autorët e dyshuar të vrasjes, përfshirë autorin e dyshuar: Igli Kamberi, një 41-vjeçar shqiptar i cili kontrollonte dhe menaxhonte tregtinë e drogës "duke përdorur metoda mafioze" në Barletta.
Me të në kohën e krimit ishin dy italianë, një burrë dhe një grua nga Barletta, të cilët dyshohet se ndihmuan në mbulimin e krimit dhe "nuk i raportuan njohuritë e tyre autoriteteve gjyqësore", shpjegojnë hetuesit. Vrasja e tij erdhi pas një tentative zhvatjeje për një borxh prej 500 eurosh, që më pas zbriti në 300 euro me dhënien me qira të një makine për llogari të 41-vjeçarit Kamberi.
Zëvendësprokurori Giuseppe Gatti, koordinator i DDA-së së Barit, zbuloi gjatë konferencës për shtyp se kundërshtimi i parukjerit italian u pa si fyerje nga ana e Kamberit, gjë që çoi në vrasjen e tij. Ai u shpreh se frika mbetet arma, duke e lidhur me kërcënimin ndaj shokut të të ndjerit. Konkretisht sipas zv.prokurorit, shoku i italianit të vrarë pasi tregoi për tentativën e zhvatjes dhe pas gjetjes së kufomës, u kthye te hetuesit për të tërhequr deklaratat, sepse kishte përmendur emra personash që sipas tij ishin të rrezikshëm. Shkatërrimi i trupit të 26-vjeçarit ishte “një mesazh për të gjithë: kush gabon, paguan. Me gjak.
Anëtarët e grupit të goditur nga operacioni, akuzohen për vrasje me paramendim me metoda mafioze, Trafik ndërkombëtar droge, Tentativë zhvatjeje, Mbajtje pa leje të armëve, Favorizim të autorëve të krimit, Shkelje të masave të sigurisë, Pastrim ndërkombëtar parash. Përveç Igli Kamberit, në pranga ka rënë Ergys Kastrati, i cili së bashku me gruan e tij dhe 2 shoferë tranasportonin para. Në total janë sekuestruar 8 automjete, 10 llogari bankare dhe 4 shoqëri tregtare dhe 1 milionë euro cash, pasuri të cilat u përkasin familjarëve të Kamberit dhe Kastratit./ZËRI
