KORÇË-Dy efektivë policie janë plagosur mbrëmjen e 26 majit në Korçë gjatë një operacioni antidrogë, ndërsa Vangjush Dushku i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike është arrestuar.
Mësohet se në operacion janë përfshirë dy automjete civile, ku njëri prej tyre drejtohej nga një agjent i narkotikëve, i shoqëruar edhe nga një tjetër efektiv policie. Gjatë ndjekjes së të dyshuarit, efektivët u përplasën me automjetin e tij, duke mbetur të plagosur. Nga përplasja, dy agjentët kanë mbetur të plagosur, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre është shtruar në spitalin e Korçës, ndërsa tjetri është transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Dushkut, i cili punonte kamarier, ju gjet një sasi prej më shumë se 12 doza lëndë narkotike të dyshuara kokainë në ambjentet e një lokali në fshatin Lumalas. Ndërkohë, pronari i lokalit është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ambienti përdorej për shitje të lëndëve narkotike.