TIRANË-Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO, të vitit 2021 për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. Bëhet fjalë për dosjen ku ata ishin shpallur fajtor për gjobëvënie e grup të strukturuar kriminal.
Gjykata vendosi: Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga të gjykuarit Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja kundër vendimit nr. 31, datë 03.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Si dhe mospranimin e rekursit të paraqitur nga i gjykuari Gilmando Dani kundër vendimit nr. 31, datë 03.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak se ka vdekur. Dani u ekzekutua në një atentat mafioz nëntorin e vitit 2025 në rrethrrotullimin e Rinasit bashkë me mikun e tij, agjentin e AMP, Mustafa Sheqeri.
Në vendimin e formës së prerë të 5 viteve më parë, Emiljano Shullazi u dënua me 14 vite burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vite burg dhe Blerim Shullazi 9 vite burg.
Emiljano Shullazi së bashku me 4 të pandehurit u arrestuam në Prill të vitit 2016 ndërsa më 13 Prill 2017 prokuroria e krimeve kërkoi dënimin e tyre me akuzat e "Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie", kryer në bashkëpunim, "Kanosje për shkak të detyrës" në bashkëpunim, "Grupi i strukturuar kriminal".
Shullazi mbahet në qeli edhe për dy dosje të tjera të SPAK, operacionin “Asgjë nuk harrohet” lidhur me vrasjet e vitit 2005, të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut dhe operacionin ‘Revanshi’ ku për të është kërkuar dënimi me 10 vite burg me gjykim të shkurtuar për sigurim kushtesh për të kryer vrasje e grup kriminal.