TIRANË-Një plagosje me armë zjarri është regjistruar pak para mesnate në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:55 të 26 majit, ku një 34-vjeçar është qëlluar me armë zjarri gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta. I plagosuri, Juxhin Hamajezi është paraqitur pas ngjarjes në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia po heton për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe kapjen e autorit.
Hamajezi është përfshirë në disa ngjarje kriminale gjatë viteve, duke përfshirë trafikimin e klandestinëve dhe i ka shpëtuar një atentati ndaj tij. Në vitin 2021 ai u arrestua nga policia e Tiranës për akuzën e "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve", pasi u kap duke trafikuar shtetas sirianë.
Në 2018, Juxhin Hajamezi, i ka shpëtuar një atentati me armë në zonën e ish-Kinostudios. Ai mbeti i plagosur bashkë me të vëllanë Rivelino Hamajezi. Për këtë ngjarje u hetua në dy pista, atë të prishjes së pazareve të drogës dhe një plagosje te mëparshme që mund të ketë kryer ky i fundit. Ngjarja ndodhi në 27 qershorit të vitit 2018, ku i dyshuar si autor ka qenë ish-efektivi i policisë Santiago Malko (i ekzekutuar).
Njoftimi i policisë:
Më datë 26.05.2026, rreth orës 23:55, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, i plagosur në këmbë, dyshohet me armë zjarri, shtetasi J. H., rreth 34 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se plagosja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu” gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.