TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë ka uruar shqiptarët për 113 vjetorin e Pavarësisë, me një mesazh të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio. Në mesazhin e urimit, Rubi thekson se dy vendet gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt e të begatë. Gjithashtu, Rubio thekson edhe bashkëpunimin ngushtë në luftën kundër grupeve kriminale transnacionale, që kontribon në sigurinë e qytetarëve për të dyja vendet. Mesazhi i urimit nuk mungoi vlerësimin dhe përgëzimin për Shpërinë për hapat e saj domethënës në sigurinë kibernetike.
Postimi i plotë i Ambasadës:
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë teksa ju festoni Ditën tuaj të Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt e të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë reciproke dhe ne e mirëpresim investimin e shtuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët.
Gjithashtu, partneriteti ynë me forcat ligjzbatuese shqiptare i bën qytetarët tanë më të sigurt teksa ne përballemi me kërcënimet që paraqiten prej grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës, si dhe atyre që bashkëpunojnë me ta. Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike, si dhe përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj domethënës në sigurinë kibernetike.
Teksa shënojmë këtë ditë të veçantë, ne presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.", Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Sot Shqipëria feston 113 vjet pavarësi. Në këtë ditë historike nuk mund të mungonin urime nga politika, bota, figura të politikës ndërkombëtare. Presidenti i SHBA-ve Donald Trump uroi gjithashtu Shqipërinë, në një mesazh të shpërndare nga kreu shtetit shqiptar, Bajram Begaj./ZËRI
